15 vite nga “21 Janari”/ “Protestuesit nuk kishin asnjë armë me vete”, Rama: Po kalonim urën bashkë më Pandeli Majkon kur kaloi një autoblindë dhe…

21/01/2026 09:55

Kjo e mërkurë shënon 15 vite nga protesta e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorë e Kombit” në Tiranë, ku mbetën të vrarë katër qytetarë.

Në Kryeministri u mbajt ceremonia e homazheve, ku fjalën e mori kreu i qeverisë, Edi Rama, i cili kujtoi rrjedhjen e protestës.

Ai u shpreh se asnjë protestues nuk kishte armë me vete, ndërsa shtoi se mbi ta u hodh gaz lotsjellës nga një autoblindë, teksa qytetarët ishin duke u mbledhur për tubim.

“15 vjet më parë këtu në këtë godinë ishte barrikaduar një hordhi e armatosur, përzierje e trupës së rregullt të Gardës së Republikës dhe çetës së paramilitarëve famëkëqij të kryeministrit.

Godina ishte përforcuar me tela me gjemba, shtrirë gjithandej pas atij gardhit të shëmtuar dhe hekurave që rrethonin Kryeministrinë qysh pas sulmit të armatosur të 14 shtatorit 1998, pjesë e të cilit ishin dhe disa nga të barrikaduarit brenda Kryeministrisë në 21 janar 2011.

Njeriu i futur nga populli në zyrën e kryeministrit për të udhëhequr Shqipërinë kishte lëshuar kushtrimin e një përgjigjeje me plumb ballit ndaj protestës së opozitës së bashkuar të kohës. Kujtoj se kur së bashku me Pandeli Majkon dhe disa shokë të tjerë po kalonim urën e bulevardit për të ardhur këtu përpara godinës, një autoblindë u shfaq në horizont dhe një valë gazi lotsjellës u lëshua mbi kokat e njerëzve pa nisur akoma protesta duke na zmbrapsur nga parku Rinia dhe rrëmuja e provokuar nga ajo mësymje qorre e policisë mbi protestuesit që po mblidheshin e ktheu protestën në një lëmsh kaotik mes protestuesve dhe forcave të rendit duke na detyruar pastaj të ktheheshim në selinë e partisë.

Protesta doli jashtë kontrollit, por përtej reagimit të turmës ndaj policisë dhe ca vatrave zjarri të ndezura në atë revoltë e sipër në atë kazan në ndonjë makinë apo mbi faqet e piramidës, për asnjë çast protestuesit nuk tentuan të kapërcejnë gardhin e godinës së Kryeministrisë. Përveç një veture e cila u filmua duke hyrë në portën anësore të hekurit hapur çuditshëm nga brenda si një ftesë në një kurth, askush nga protestuesit nuk bëri asnjë përçapje për ta shkelur perimetrin e ashtuquajtur të sigurisë dhe synuar futjen në godinë.

Asnjë dëshmitar në vend dhe më pas asnjë material filmik i ngjarjes nuk nxori askund në pah praninë e asnjë arme të vetme në radhët e protestuesve.”, u shpreh ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB