“Mos ve skedina fituse o bos, të marrim %”/ TCH zbardh bisedat mes policëve që vinin baste: He mo tigër, duhet me dorzu lekët e llotos Gjykata Kushtetuese shqyrtoi të martën kërkesën e Unionit dhe Shoqatës së gjyqtarëve për rritjen e pagave me 700 euro dhe pritet të marrë vendim brenda disa ditëve.
Kjo është kërkesa e dytë e gjyqtarëve brenda 3 vitesh për rritje page. Ata kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve ligjore, që u bënë për pagën e tyre në vitin 2023 nga qeveria, e cila përcaktoi se rroga e gjyqtarëve do të ishte sa 36% e pagës së Presidentit.
Kërkesa e gjyqtarëve është kundërshtuar prerë nga kryeministri Edi Rama, i cili në një reagim të fundit, teksa zhvillohej seanca në Gjykatën Kushtetuese, i bëri thirrje kësaj të fundit të mos u japë të drejtë gjyqtarëve, pasi sipas tij, do të kthehej në një turp kombëtar.
Kreu i qeverisë thekson se gjyqtarët janë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, pas mbështetjes që qeveria e tij i dha pushtetit gjyqësor për hir të Reformës në Drejtësi.
“Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave, ndërkohë që janë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, si rezultat i mbështetjes që kjo shumicë qeverisëse i dha për hir të Reformës në Drejtësi pushtetit gjyqësor!
Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave – ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrësesi të kthehet në një turp kombëtar! Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit”, shkruan Rama.
Top Channel