Ndryshimet e vogla, por të qëndrueshme në stilin e jetesës, mund të kenë ndikim të jashtëzakonshëm në shëndetin dhe jetëgjatësinë e njeriut.

Shkencëtarët pohojnë se aktiviteti i përditshëm fizik, edhe në sasi minimale, redukton ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve serioze si sëmundjet kardiovaskulare, goditjet në tru, diabeti i tipit 2 dhe disa forma të kancerit.

Sipas rekomandimeve ekspertëve, të rriturit duhet të jenë aktivë çdo ditë, duke kombinuar ushtrimet aerobike me ato për forcimin e muskujve, dhe duke synuar rreth 150 minuta aktivitet fizik në javë.

Por studime të reja tregojnë se përfitimet fillojnë shumë më herët sesa mendohej.

Hulumtimet shkencore sugjerojnë se edhe ecja për vetëm 10 minuta në ditë mund të shtojë deri në një vit jetë, veçanërisht tek personat mbi moshën 60-vjeçare.

Një studim britanik ka zbuluar se efektet janë edhe më të theksuara tek meshkujt, të cilët mund të fitojnë deri në 16 muaj jetë shtesë nga aktiviteti i rregullt fizik, ndërsa gratë rreth 11 muaj.

Rezultatet tregojnë gjithashtu se sa më shumë të rritet koha dhe intensiteti i ecjes, aq më të mëdha janë përfitimet. Për shembull, ecja 30 minuta në ditë mund të zgjasë jetën e burrave me rreth dy vjet e gjysmë, ndërsa tek gratë me rreth 16 muaj. Ekspertët theksojnë se nuk është e nevojshme të ndiqen programe intensive stërvitore apo palestër e lodhshme.

Sekreti qëndron te lëvizja e përditshme, krijimi i një rutine të qëndrueshme dhe fillimi me hapa të vegjël, si ecja, ngjitja e shkallëve apo aktivitetet e thjeshta të përditshme. Sipas tyre, edhe pak minuta aktivitet çdo ditë janë më të vlefshme sesa ushtrime intensive, por të rralla, duke e kthyer lëvizjen në një aleat të fortë për shëndetin, jetëgjatësinë dhe cilësinë e jetës./Tar

Top Channel

DIGITALB DIGITALB