Publikohen pamjet e grabitjes spektakolare në Luvër/ Muzeu mbyllet për herë të tretë nga greva e sindikatave, kundërshtohet edhe rritja e çmimit të biletave

20/01/2026 15:24

Një ditë më parë, televizioni publik francez transmetoi për herë të parë pamjet e grabitjes spektakolare në Muzeun e Luvrit në tetor, ku duken dy autorët teksa hyjnë me forcë në Galerinë Apollo.

Njëri i veshur xhaketë të verdhë që bie në sy dhe tjetri me helmetë, të dy nisin të thyejnë vitrinat prej xhami, ndërsa anëtarët e stafit nuk ndërhyjnë, pasi sipas Muzeut, stafi nuk është i trajnuar për t’u përballur me hajdutët dhe u kërkohet të japin përparësi evakuimit të vizitorëve.

Katër të dyshuar janë në paraburgim policor për grabitjen, përfshirë dy hajdutët e dyshuar, por tetë bizhuteritë e vjedhura të kurorës franceze me vlerë rreth 102 milionë dollarë nuk janë gjetur ende. Kjo ngjarje nxiti pikëpyetje të mëdha për një nga muzetë më të vizituar në botë, ndërkohë që sindikatat po bëjnë presion për më shumë rekrutime dhe mirëmbajtje më të ish-pallatit të madh mbretëror. Këtë fillim jave, ata zhvilluan një grevë për herë të tretë nga dhjetori, duke lënë sërish mijëra turistë të zhgënjyer, pasi nuk u lejuan të hyjnë në muze.

Ndërkohë, nga 14 janari hynë në fuqi tarifat e reja të biletave ku vizitorët jo-evropianë tani paguajnë 32 euro në vend të 22 eurove, si pjesë e planit për të përforcuar sigurisë dhe shtuar rinovimet në objekt.

Me krijimin e një galerie të dedikuar për Mona Lisën, sikurse është propozuar, pritet një tarifë shtesë.

Sindikatat franceze të punës e kanë akuzuar muzeun për minimin e misionit të tij publik dhe për transformimin e një thesari kombëtar në një vend komercial. Ky vendim ka ringjallur në opinionin publik debatin se për kë është kultura dhe sa duhet të paguajmë për ta përjetuar atë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB