Tragjedia me 40 viktima në Crans-Montana/ Zbardhet autopsia e trupit të kampionit 16-vjeçar që humbi jetën, dyshohet se shkak u bë…
Zyrtarët francezë kanë kryer për herë të parë një ndërhyrje në ujë për të ndaluar varkat e vogla që transportojnë emigrantë të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar, si pjesë e një politike të re të ashpërsuar kundër kontrabandës së njerëzve.
Operacioni u zhvillua në kanalin Aa, në zonën e Gravelines, në bregdetin verior francez mbi Calais, ku oficerët francezë ndaluan dhe hipën në një gomone të ashtuquajtur “taksi-varkë”. Sipas pamjeve të siguruara nga BBC, disa burra – që dyshohet se janë kontrabandistë – u panë në gomone pranë një anijeje policie, ndërsa mjeti më pas u tërhoq drejt skelës.
Prefektura detare franceze nuk dha detaje për rastin, duke deklaruar vetëm se është hapur një “hetim gjyqësor në vazhdim” lidhur me këtë ndërhyrje.
Ndryshimi i taktikave vjen pas një marrëveshjeje të arritur në nëntor, pas presionit të shtuar nga qeveria britanike për më shumë ndërhyrje nga ana e Francës. Politika e re u dakordësua në një samit në korrik të vitit të kaluar mes presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministrit britanik Sir Keir Starmer.
Deri tani, policia franceze ndërhynte vetëm në plazhe, përpara nisjes së varkave, pasi operacionet në det konsideroheshin shumë të rrezikshme. Megjithatë, bandat e kontrabandistëve i shmangën kontrollet duke përdorur “anije-taksi”, të cilat futen në ujë larg bregut dhe më pas lëvizin paralelisht me vijën bregdetare për të marrë emigrantë.
Sipas dokumenteve zyrtare franceze, kjo metodë kishte një shkallë suksesi prej 81% gjatë vitit 2025. Ndërkohë, numri i emigrantëve që arritën në Mbretërinë e Bashkuar nga Franca u rrit nga 36,566 në vitin 2024 në 41,472 vitin e kaluar, megjithëse mbeti nën nivelin rekord prej 45,774 në vitin 2022.
Pas marrëveshjes së korrikut 2025 për të nisur ndërhyrjet në ujë, zbatimi u vonua për shkak të shqetësimeve mbi rrezikun për jetën e emigrantëve dhe përgjegjësinë ligjore të oficerëve në rast incidentesh fatale. Këto pengesa duket se tashmë janë kapërcyer.
Sipas rregullave të reja të angazhimit, forcat franceze do të ndërhyjnë vetëm për të ndaluar “anijet-taksi” përpara se ato të marrin emigrantë, dhe jo kur të jenë plotësisht të mbushura. Kjo procedurë u ndoq edhe në operacionin e fundit, pasi policia dyshonte se gomonia e ndaluar do të përdorej për të marrë emigrantë në dalje të kanalit drejt detit.
Top Channel