Tensione mes Trump dhe BE për Groenlandën, presidenti amerikan: Përqendrohuni te Rusia dhe Ukraina, jo te ishulli arktik

19/01/2026 20:29

Përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian lidhur me pretendimet për aneksimin e Groenlandës vijon të thellohet.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u ka kërkuar udhëheqësve evropianë të përqendrohen te Rusia dhe Ukraina, dhe jo te Groenlanda.

Në një intervistë për NBC News, Trump përsëriti se do t’i zbatojë “100%” kërcënimet e tij për vendosjen e tarifave shtesë nëse nuk arrihet një marrëveshje për ishullin arktik. I pyetur nëse SHBA-të do të përdorin forcën për të marrë kontrollin e Groenlandës, ai u përgjigj shkurt: “Pa koment”.

Sipas raportimeve, në lidhje me deklaratat e Trumpit, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Mike Johnson, theksoi se sipas sistemit kushtetues amerikan, vetëm Kongresi ka të drejtën të shpallë luftë.

“Sipas Kushtetutës sonë, Kongresi duhet të shpallë luftë. Nuk parashikoj asnjë skenar ku SHBA-të i shpallin luftë Groenlandës,” deklaroi Johnson. I pyetur nëse Trump mund të dërgojë trupa në Groenlandë pa miratimin e Kongresit, ai shtoi se një inkursion ushtarak në shkallë të gjerë do të kërkonte domosdoshmërisht përfshirjen e Kongresit.

Megjithatë, Trump nuk ka dhënë shenja se do të tërhiqet nga pretendimet e tij ndaj ishullit arktik. Në një postim në platformën e tij Truth Social, ai shkroi se NATO i ka kërkuar Danimarkës prej 20 vitesh të përballet me atë që ai e quan “kërcënimi rus” në Groenlandë.

“NATO i ka thënë Danimarkës për 20 vjet se kërcënimi rus duhet të largohet nga Groenlanda. Fatkeqësisht, Danimarka nuk ka qenë në gjendje të bëjë asgjë për këtë. Tani ka ardhur koha dhe ne do ta bëjmë!”, shkroi Trump.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB