Numri i lindjeve në Kinë kap shifrat më të ulëta në historinë e vendit, popullsia e superfuqisë aziatike bie për të katërtin vit radhazi Gjuha trupore e kryeministrit Starmer foli po aq shumë sa fjalët dhe nënteksti për krizën ndoshta më të madhe në marrëdhëniet transatlantike në dekadat e fundit.
Edhe pse ishte retorikisht kundër luftës së tarifave dhe pro diskutimeve të qeta dhe të vetëpërmbajtura mes aleatëve dhe administratës amerikane të presidentit Trump, për çështjen e Groenlandës, ishte e qartë se raporti jo vetëm mes Uashingtonit dhe Londrës, por edhe Uashingtonit dhe Evropës, kishte mbërritur në një pikë ku parimet dhe vlerat do duhej të prevalojnë më në fund mbi bullizmin e supozuar të presidentit Trump, përmes luftës së tarifave, një nga armët kryesore që ai ka aplikuar në diplomacinë amerikane.
Starmer, ashtu si edhe në krizat e mëparshme, si në rastin e Ukrainës, ka tentuar dhe ka arritur me sukses të jetë qetësuesi dhe ndërmjetësuesi i zgjidhjeve racionale, përkundër prepotencës së amerikanëve si superfuqi botërore. Por rasti i Groenlandës duket se ka vënë në provë jo vetëm britanikët, por tërë Aleancën transatlantike, pikërisht dinjitetin, parimet dhe vlerat që e mbajnë të fortë një aleancë demokratike, aq më tepër në kushtet e një bote që është dukshëm më turbulente në këto javët e fundit.
Starmer dukshëm kërkon t’i mbajë të gjitha dyert hapur në raportin e kontinentit evropian me Amerikën dhe kërkon të heqë helmin nga retorikat mes dy anëve të Atlantikut, duke theksuar se lufta e tarifave nuk është në interesin as të Amerikës, as të Evropës, e cila kësaj here duket se i është sosur durimi me gjuhën kërcënuese tarifore të Trump dhe që, me sa duket, është e përgatitur për një gjë të tillë, nëse shkon puna deri aty.
Por të qenit pragmatik nuk do të thotë të jesh pasiv; kjo është filozofia diplomatike e Starmer, kryeministrit britanik. Ai thjesht shpreson se diskutime të qeta mes aleatëve mund të sjellin ndryshimin dhe kompromisin në zgjidhjen e situatës. Pikëpyetja më e madhe mbetet: a mund të ndodhë një gjë e tillë? Amerikanët duket se po përdorin ligjin e forcës, ndërsa Starmer, si një jurist i së drejtës ndërkombëtare, po tenton të përdorë forcën e ligjit ndërkombëtar.
Top Channel