Të përfshirë në vrasjen e një personi në Dibër në vitin 2018, arrestohen dy vëllezërit
Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetim të thelluar ndaj dy kompanive të ofrimit të shërbimeve celulare në vend, Vodafone Albania dhe One Albania.
Autoriteti i Konkurrencës gjatë fazës së hetimit paraprak të tregut ka gjetur elementë që mund të tregojnë sjellje anti-konkurruese nga dy operatorët celularë, siç është rritja e çmimeve.
Pjesë nga analiza e publikuar nga Autoriteti i Konkurrencës
AKEP në dokumentin e publikuar në faqen zyrtare, sipas vlerësimit të AK, nuk ka realizuar një analizë dhe vlerësim të përgjithshëm krahasues për ndryshimet e kryera në paketat standarde nga tre operatorë celularë në tregun me pakicë të shërbimeve celulare.
Tregu me pakicë i shërbimeve celulare në Shqipëri paraqitet si një duopol, ku dy operatorët në fjalë zotërojnë së bashku 100% të tregut. Kjo strukturë tregon një përqendrim të lartë tregu dhe një nivel të kufizuar konkurrence efektive, duke krijuar kushte të favorshme për pozitë dominuese kolektive në kuptim të nenit 9 të Ligjit nr. 9121/2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Gjatë periudhës hetimore nga 1 janar 2022 deri më 25 korrik 2025, është konstatuar se ndërmarrjet Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA kanë ndjekur një sjellje të ngjashme tregtare në lidhje me ofertat e tyre të shërbimeve celulare, përfshirë paketat me parapagesë, me kontratë dhe shërbimet roaming. Në këtë periudhë vihet re një rritje progresive dhe pothuajse e sinkronizuar e çmimeve, ndërkohë që nuk rezulton që këto ndërmarrje të kenë përdorur një metodologji të përllogaritjes së kostove, që do të justifikonte ndryshimet e çmimeve të aplikueshme në treg.
Nga analiza e zhvillimeve të çmimeve rezulton se, sa herë një nga operatorët ka rritur çmimet e paketave celulare, operatori tjetër e ka ndjekur brenda një periudhe të shkurtër kohore me një rritje të ngjashme, si në nivel çmimi ashtu edhe në strukturën e paketës (minuta, internet, SMS, vlefshmëri etj.). Kjo tregon një reagim të menjëhershëm dhe simetrik që mund të interpretohet si praktikë e bashkërenduar në kuptim të nenit 4 të Ligjit nr. 9121/2003.
Analiza e ofertave tregon se paketat e ofruara janë pothuajse identike në çmim dhe përmbajtje (sasi interneti, minuta kombëtare, përfshirje roaming etj.), duke kufizuar ndjeshëm mundësinë e zgjedhjes për konsumatorët dhe duke reduktuar presionin konkurrues ndërmjet operatorëve. Ky homogjenitet i produkteve, i kombinuar me mungesën e transparencës në kosto, përbën një rrezik për koordinim të sjelljes së ndërmarrjeve, që synon ruajtjen e një niveli të qëndrueshëm çmimesh dhe fitimesh në treg.
Asnjë nga ndërmarrjet nuk ka paraqitur dokumentacion që të dëshmojë se çmimet janë përllogaritur mbi bazën e një analize të kostove reale të shërbimeve. Në mungesë të një metodologjie të qartë, rritjet e çmimeve mund të konsiderohen si të pajustifikuara ekonomikisht dhe si rezultat i një sjelljeje të orientuar drejt ndjekjes së një modeli të përbashkët tregtar, më shumë sesa drejt konkurrencës përmes inovacionit apo eficiencës.
Në përfundim, në kushtet kur: tregu paraqet strukturë duopolistike; vihet re një sinkronizim në rritjen e çmimeve dhe oferta pothuajse të njëjta në çmime dhe përmbajtje; mungon transparenca dhe metodologjia kosto–çmim, atëherë sjellja e ndërmarrjeve Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA mund të përbëjë shkelje të nenit 4 dhe nenit 9 të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
PËR KËTO ARSYE:
Komisioni i Konkurrencës, bazuar në nenin 4, nenin 9, nenin 24, germa (d), nenin 26 dhe nenin 43, pika 1 të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”,
VENDOSI:
I.
Hapjen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjeve Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA në tregun me pakicë të shërbimeve celulare.
II.
Hetimi i thelluar të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022 deri më 18 nëntor 2025.
III.
Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Top Channel