“Europa është e dobët, SHBA-të rrezatojnë forcë”, sekretari amerikan i Thesarit: Presidenti nuk tërhiqet nga Groenlanda
Një test i thjeshtë gjaku mund të parashikojë që në fazat e para se cili trajtim do të funksionojë më mirë për pacientët me kancer të gjirit, duke i ndihmuar mjekët të shmangin terapitë jo të domosdoshme dhe të përdorin trajtim efektiv, sipas një studimi të ri shkencor.
Testi, i zhvilluar nga studiues të Institutit për Kërkime mbi Kancerin në Londër (ICR), analizon ADN-në e tumorit që qarkullon në gjak (ctDNA) dhe mund të tregojë reagimin e mundshëm ndaj trajtimit para se pacienti të nisë, ose vetëm katër javë pas fillimit të terapisë.
Në studim u përfshinë 167 pacientë me kancer të avancuar të gjirit. Rezultatet treguan se pacientët me nivele të ulëta të ctDNA-së në fillim të trajtimit kishin shumë më tepër gjasa të përfitonin nga terapia dhe të kishin një periudhë më të gjatë pa përparim të sëmundjes.
Sipas studiuesve, ky test u jep mjekëve mundësinë të ndryshojnë trajtimin në kohë, duke ofruar alternativa më të përshtatshme, si terapi specifike, kombinime barnash apo përfshirje në studime klinike, përpara se kanceri të përparojë.
Pacientët në studim u ndanë në dy grupe: një grup me mutacione gjenetike të trajtueshme dhe një tjetër me kancer gjiri trefish negativ, një formë agresive e sëmundjes që përbën 10–15% të rasteve.
Në grupin e dytë, pacientët me nivele të ulëta të ctDNA-së përpara trajtimit jetuan mesatarisht më shumë se dyfish pa përkeqësim të sëmundjes, krahasuar me ata me nivele të larta.
Edhe analizat e bëra katër javë pas fillimit të trajtimit treguan se pacientët pa ctDNA të dallueshme në gjak kishin rezultate dukshëm më të mira dhe një kontroll më afatgjatë të sëmundjes.
Studiuesit theksojnë se ky test i gjakut përbën një metodë jo-invazive, të shpejtë dhe të besueshme për të monitoruar reagimin ndaj trajtimit dhe për të personalizuar terapinë.
Sipas profesor Nicholas Turner nga ICR, edhe pse studimi u fokusua në kancerin e avancuar të gjirit, testi mund të jetë i dobishëm edhe për fazat e hershme të sëmundjes, duke e bërë trajtimin më të shpejtë, më të saktë dhe më efektiv
Top Channel