“Europa është e dobët, SHBA-të rrezatojnë forcë”, sekretari amerikan i Thesarit: Presidenti nuk tërhiqet nga Groenlanda

18/01/2026 19:53

Mesazhi i Donald Trump drejtuar aleatëve evropianë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend të tërhiqen për çështjen e Groenlandës u përforcua nga Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, i cili argumentoi se Evropa është “shumë e dobët” për të siguruar sigurinë e saj.

Duke folur në emisionin për NBC News, Bessent duket se minimizoi kërcënimet e Bashkimit Evropian për të anuluar marrëveshjen tregtare të arritur vitin e kaluar me administratën Trump, duke vënë në dukje se presidenti amerikan po përdor ndikimin strategjik si levë për të arritur qëllimet e tij.

“Para së gjithash, marrëveshja tregtare nuk është finalizuar dhe një veprim emergjent mund të jetë krejtësisht i ndryshëm nga një marrëveshje tjetër tregtare”, tha ai të dielën, duke shtuar se Trump po “përdor fuqitë emergjente për ta bërë këtë”.

Të shtunën, Trump njoftoi vendosjen e tarifave prej 10% për produktet nga tetë vende evropiane nga 1 shkurti, me një rritje të parashikuar në 25% në qershor nëse nuk arrihet një marrëveshje për “blerjen e Grenlandës”.

Zhvillimi shkaktoi reagime të forta, me Presidentin Francez Emmanuel Macron që e quajti masën “të papranueshme” dhe deklaroi se do të bënte thirrje për aktivizimin e mekanizmit më të fortë hakmarrës të BE-së.

Bessent paraqiti një arsyetim më të gjerë për pretendimin e SHBA-së për Groenlandën, duke përmendur konkurrencën gjeopolitike në rritje në Arktik, planet e Trump për të vendosur mburojën raketore “Kupola e Artë”, por edhe varësinë e mëparshme të Evropës nga Rusia, e cila – siç tha ai “financoi operacionet ruse kundër Ukrainës”.

I pyetur nëse qëndrimi i Trump ndaj Evropës është një taktikë negociuese, ministri amerikan la të kuptohej se presidenti nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrimin e tij: “Evropianët rrezatojnë dobësi, Shtetet e Bashkuara rrezatojnë forcë.”

“Presidenti beson se siguria e shtuar nuk mund të ekzistojë pa qenë Groenlanda pjesë e Shteteve të Bashkuara”, tha Bessent.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të udhëheqësve evropianë se një veprim amerikan për të blerë Groenlandën mund të çojë në shpërbërjen e NATO-s, pas më shumë se 70 vjetësh, Bessent e përshkroi këtë dilemë si “të rreme”.

“Udhëheqësit evropianë do ta pranojnë atë dhe do ta kuptojnë se kanë nevojë për ombrellën e sigurisë së Shteteve të Bashkuara”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB