Analiza/ Trump, një vit provash force. Tronditi aleancën me europianët, por ka goditur edhe Kinën me Rusinë

18/01/2026 11:55

Një vit pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë opinioni për bilancin e politikës së jashtme amerikane mbetet i ndarë.

Në Europë, ai shihet si një faktor destabilizues që ka dobësuar aleancat tradicionale, ka ringjallur proteksionizmin dhe ka vënë në diskutim rendin perëndimor. Kërcënimet për tarifa ndaj aleatëve që kundërshtojnë ambiciet e tij mbi Groenlandën kanë thelluar më tej këtë perceptim.

Sipas analizës që bën e përditëshmja italiane “Corriere”, nga një këndvështrim “jo-europian”, politikat e Trump kanë prodhuar rezultate konkrete. Evropa ka rritur ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen, ndërsa Gjermania po rishikon modelin e saj ekonomik, duke nxitur kërkesën e brendshme dhe duke shmangur skenarët e zymtë të paralajmëruar.

Në Azi, Japonia dhe Koreja e Jugut po riarmatosen, të vetëdijshme se mbrojtja amerikane nuk është më e pakushtëzuar. Kjo qasje synon të lehtësojë barrën ushtarake të SHBA-së, e cila mbetet ekonomia më e fuqishme në botë, por kërkon një ekuilibër më realist mes angazhimeve dhe burimeve.

Në Lindjen e Mesme, ndikimi amerikan është forcuar. Rënia e Asadit në Siri, goditjet ndaj Hamasit dhe Hezbollahut, sulmi amerikan ndaj objekteve bërthamore iraniane dhe mbështetja rajonale për planin e Trumpit për Gazën e kanë pozicionuar Uashingtonin si arbitrin kryesor në rajon.

Kina dhe Rusia, pavarësisht retorikës, kanë treguar kufizime në mbrojtjen e interesave të tyre. Sanksionet e reja amerikane po e rëndojnë ekonominë ruse, ndërsa Pekini po humbet terren në tregun amerikan për shkak të tarifave.

Sipas analistëve, dobësia e Trump në këtë moment mbetet politika e brendshme. Polarizimi i thellë dhe rreziku i humbjes së Kongresit në zgjedhjet e nëntorit të ardhshëm mund ta kufizojnë fuqinë e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB