“Rreziqe nga aktivitetet ushtarake dhe ndërhyrjet në sinjalet GPS”/ Administrata Federale e Aviacionit të SHBA-së paralajmëron linjat ajrore: Tregoni kujdes

17/01/2026 07:38

Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së (FAA) paralajmëroi linjat ajrore amerikane që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë fluturimeve mbi Meksikë, Amerikën Qendrore dhe pjesë të Amerikës së Jugut, duke përmendur rreziqe të mundshme nga aktivitetet ushtarake dhe ndërhyrjet në sinjalet GPS.

FAA njoftoi se ka lëshuar Njoftime për Pilotët (NOTAM) që mbulojnë Meksikën, vendet e Amerikës Qendrore, si dhe Ekuadorin, Kolumbinë dhe disa zona të hapësirës ajrore mbi Oqeanin Paqësor lindor. Paralajmërimet hynë në fuqi të premten dhe do të jenë të vlefshme për 60 ditë.

Sipas raportimeve, vendimi vjen mes rritjes së tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe disa qeverive të rajonit, pas një forcimi të gjerë ushtarak amerikan në Karaibet jugore, sulmit ndaj Venezuelës dhe kapjes së presidentit Nicolas Maduro në një operacion ushtarak. Presidenti Donald Trump ka lënë të hapur mundësinë e veprimeve të mëtejshme ushtarake në rajon, përfshirë edhe kundër Kolumbisë.

Javën e kaluar, Trump deklaroi se kartelet e drogës po kontrollojnë Meksikën dhe sugjeroi se SHBA-të mund të ndërmarrin sulme ndaj objektivave tokësore për t’i luftuar ato, duke shtuar shqetësimet për përdorimin e forcës ushtarake amerikane kundër karteleve të drogës.

Autoritetet meksikane reaguan ndaj paralajmërimit të FAA-s duke theksuar se ai është vetëm një masë paraprake dhe nuk përfshin kufizime të hapësirës ajrore të Meksikës apo të operacioneve të linjave ajrore vendase. Ministria përkatëse deklaroi se njoftimi vlen vetëm për operatorët amerikanë dhe se trafiku ajror në Meksikë vazhdon normalisht.

Pas sulmit ndaj Venezuelës, FAA kishte ndaluar përkohësisht fluturimet mbi të gjithë Karaibet, duke shkaktuar anulimin e qindra fluturimeve nga linjat ajrore kryesore. Administratori i FAA-s, Bryan Bedford, tha këtë javë për Reuters se kishte pasur koordinim të mirë mes agjencisë dhe ushtrisë amerikane përpara operacionit në Venezuelë.

Muajin e kaluar, një avion pasagjerësh i JetBlue, i nisur drejt Nju Jorkut, ndërmori manovra shmangëse për të evituar një përplasje në ajër me një avion cisternë të Forcave Ajrore Amerikane pranë Venezuelës. Fluturimi 1112 i JetBlue ishte nisur nga Curaçao dhe po fluturonte rreth 40 milje (60 kilometra) larg bregdetit venezuelian, kur ekuipazhi raportoi se ishte përballur me avionin ushtarak, i cili nuk kishte transponderin të aktivizuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB