Ndarja e lëndëve me zgjedhje/ Mësueset tregojnë si funksionon procesi në klasat e 11-ta për përcaktimin e drejtimit arsimor

17/01/2026 13:33

Ethet e nxënësve se çfarë profesioni do të kenë në të ardhmen nisin që në klasën e 11.

Vitet e dyta në gjimnaz janë përballë listës së lëndëve me zgjedhje, për të përzgjedhur preferencat e tyre. Ky është një formular fillestar që plotësohet në bazë të interesave të nxënësve, që shërben në formimin e klasave me zgjedhje kur të jenë maturantë. Një vendimmarrje e rëndësishme e cila ndikon edhe në rrugëtimin universitar.

“Pra përzgjedhja bëhet në klasën e 11 për të vazhduar më tej në klasën e 12 dhe lëndët që përzgjedhin ndahen në lëndë shkencore si kimia, fizika, biologjia dhe lëndët shoqërore pjesa tjetër që janë sociologjia, qytetari, psikologji…dhe grupohen në klasa sipas preferencave. Më pas bëjnë provimin e maturës për lëndën e përzgjedhur dhe sigurisht degët i dalin sipas preferencave dhe rezultateve të provimit të maturës”, është shprehur mësuesja Ana Llazo.

Arsimtarja Ana Llazo vlerëson me rëndësi këshillimin e karrierës në shkolla, duke theksuar se koordinatorët e këshillimit duhet të përfshihen në një proces të vazhdueshëm zbulimi të talenteve te nxënësit, që ata të zgjedhin profesionin që duan pas diplomimit, edhe në bazë të rezultateve mësimore.

“Unë mendoj që duhet një informim më i thelluar në mënyrë që ata të mos kenë pendesa përsa i përket studimeve universitare. Nëse nuk orientohen në mënyrën e duhur do të bëjnë zgjedhjet e gabuara”, tha ajo.

Përvoja në sistemin arsimor parauniversitar, Anës i ka treguar se kryesisht nxënësit nxitojnë në përzgjedhjen e lëndës me zgjedhje, pa e kuptuar përgjegjësinë e vendimit. Teksa rekomandon që pas konsultimit me familjen, të rinjtë ti besojnë njohurive dhe dëshirave që kanë.

“Ndër vite tendenca dhe preferencat më të mëdhaja kanë qënë lëndët shoqërore. Priren drejt lëndëve që janë më fitimprurëse në tregun e punës dhe drejt degëve që do i quaja trend i momentit. Duke lënë mënjanë atë që duan. Duhet të marrin një vendim duke parë aftësitë e tyre”, u shpreh Llazo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB