“Irani është vendi më i keq për të jetuar”, Trump: Është koha për të kërkuar lidership të ri

17/01/2026 19:05

Donald Trump ka bërë thirrje për ndryshim të udhëheqjes në Iran, duke deklaruar se vendi drejtohet nga një regjim shtypës dhe se është koha për fundin e sundimit të Ajatollah Ali Khamenei.

Në një deklaratë për POLITICO, presidenti amerikan u shpreh se Irani ka nevojë për një lidership të ri, ndërsa protestat masive kundër regjimit, që kërkonin rrëzimin e pushtetit aktual, duket se janë qetësuar.

Është koha për të kërkuar një udhëheqje të re në Iran”, tha Trump, duke akuzuar drejtuesit e Teheranit për dhunë dhe represion ekstrem ndaj popullsisë.

Më herët gjatë javës, Trump u kishte bërë thirrje iranianëve të vazhdonin protestat dhe të “pushtonin institucionet”, duke deklaruar se “ndihma është në rrugë”. Një ditë më pas, ai ndryshoi tonin, duke thënë se ishte informuar se vrasjet e protestuesve kishin ndaluar.

Vendimi më i mirë që ai mori ndonjëherë ishte të mos varte mbi 800 persona dy ditë më parë”, tha Trump, i pyetur për mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake amerikane në Iran.

Deklaratat e tij erdhën pasi lideri suprem iranian, Ali Khamenei, publikoi mesazhe në platformën X, ku akuzoi Trumpin si përgjegjës për dhunën dhe humbjet e jetëve në Iran, duke i quajtur pretendimet e tij “shpifje të neveritshme”.

Në reagim, Trump u shpreh se udhëheqja iraniane mbështetet te frika dhe dhuna për të qëndruar në pushtet. “Si udhëheqës i vendit, ai është fajtor për shkatërrimin e plotë të Iranit dhe përdorimin e dhunës në nivele që nuk i kemi parë kurrë më parë”, tha Trump.

Udhëheqja bazohet në respekt, jo në frikë dhe vdekje”, shtoi ai.

Trump e ashpërsoi më tej gjuhën ndaj Khameneit, duke e cilësuar atë si “një njeri të sëmurë” dhe duke deklaruar se Irani është “vendi më i keq për të jetuar në botë, për shkak të udhëheqjes së keqe”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB