Historia e novelës grafike dhe karikaturës në Shqipëri, studiuesi shpjegon si lindi dhe si u zhvillua gjatë diktaturës

17/01/2026 14:01

Novela grafike dhe karikatura në Shqipëri lindi më vonë se në pjesën tjetër të Evropës.

Novelat e para grafike u krijuan nga Safo Marko e Agim Fajo, ndërkohë që përmes karikaturave të publikuara në shtypin e kohës, trajtoheshin periudha të ndryshme, që nga pushtim otoman, përpjekjet për pavarësi edhe dy luftrat botërore.

Karikatura ka lindur me revistën ‘Hosteni’ në 1943 si një fletushkë e bashkëngjitur me revistën ‘Bashkimi’, më pas ka vazhduar si një revistë më vete, për të ironizar skenën politike të asaj kohe. Gjatë diktaturës, ka qenë një nga mjetet e propagandës së përdorur nga sistemi“, tregon studiuesi Oltsen Gripshi.

Në studimin shkencor të publikuar së fundi, studiuesi i artit pamor Olsten Gripshi evidenton karikaturistët që krijuan imazhe mbreslënëse.

“Ndër karikaturistët më të rëndësishëm të skenës shqiptare, ndonëse në fillet e saj nuk ka pasur emra të vendosura pranë imazheve, mund të përmendim Bujar Kapexhiun, Zef Bumçin, Enriko Veizin, Bardhyl Fico, që kanë krijuar një fushëpamje të gjerë duke prekur aspekte të ndryshme politike e shoqërore përmes ironizimit në artin pamor shqiptar”, tregon studiuesi.

Novela grafike dhe krikatura morën hov pas viteve ’45, kur krahas Hostenit, u botuan revistat për fëmijë “Yllkat”, “Pioneri” apo “Fatosi”. Nuk ishin thjesht krijime artistike, por akte propagande.

“Janë karikaturat që shfaqin miqësinë e përbotshme midis dy popujve, herë me jugosllavët e dikurshëm, herë me bolshevikët rusë dhe deri te periudha e raporteve me Kinën, ku elementë të miqësisë ‘së përbotshme’ shfaqen në karikaturë, shfaqen në novelën grafike, por fill pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike, ‘çuditërisht’ këto vende kalonin në një armiqësi të përjetshme, sepse sipas sistemit kishin tradhtuar ‘idealet e marksizëm-leninizmit’.”

Shumë prej karikaturave u përdorën për të ndërtuar kultin e individit të Enver Hoxhës.

“Ato vjershat e vogla, poemat dhe tregimet, përmes imazheve, evidentonin ‘armikun e brendshëm’, që në atë kohë etiketoheshin ballistët, duke i paraqitur si figura tradhtare të kombit shqiptar që në Luftën e Dytë Botërore ishin krah armikut dhe jo partizanëve për mbrojtjen e atdheut. Të gjithë këto janë elementë ikonografikë, antropologjik, historik”.

Në studimin e tij, autori analizon si Shqipëria dhe shqiptarët u promovuan në skenën ndërkombëtare përmes karikaturës, që nga karikatura e Nënë Terezës në revistën e famshme Marvel te Aventurat e Tintin që përfshinë edhe vendin tonë.

“Novela grafike kushtuar Nënë Terezës, nga shtëpia botuese ‘Marvel’ në 1984, e cila rrugëtim në të gjithë jetëshkrimin e Nënë Terezës, që nga lindja e saj në Shkup, rrugëtimi misionar në Kalkuta. Ai që bën ambasadorin e imazhin shqiptar gjatë viteve të izolimit në botën perëndimore është autori belg Herge, që i kushton një novelë grafike personazhit Tintin, duke krijuar mbretërinë Syldavi, që nuk e shkruan drejtpërdrejtë, por nënkupton Shqipërinë. Është një rrëfim i jashtëzakonshëm imagjinar”.

Ky botim bën bashkë studimin, artin, historinë dhe sociologjinë pas karikaturave të kohës dhe lindjes së novelës grafike në Shqipëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB