Bujqësia “u mbyt” nga Semani, blegtorët e Beratit humbin kafshët dhe ushqimin që kishin: Është bërë pleh i gjithë

17/01/2026 15:30

Ky është Florian Çela, nga fshati Samaticë i Beratit, reshjet e shiut të janarit i morën atij gjithçka që ka ndërtuar prej vitesh.  Për shkak të përmbytjes në stalla tashmë dëgjohen më pak blegërima.

“Mua mu mbytën 17 qingja më ka ardh shumë keq dëm i madh, s’kam me çfarë t’i ushqej këto që më kanë mbetur. Nuk e di se çfarë do të bëj, do t’i shes fare sepse nuk kam as para dhe asgjë tjetër. Ushqimi është përmbytur 50 kuintal misër, balla gjithashtu”, tha ai.

Por fatkeqësia e 35 vjeçarit nuk përfundon këtu, shiu i përmbyti edhe 4 dynym tokë të mbjellë me jonxhë.  Në lumin Seman gjithashtu përfunduan edhe rezervat e ushqimit me të cilat ai do të ushqente kafshët këtë dimër. Ndërsa ajo pak sasi bari që ka mbetur në oborr pa e marrë lumi, tanimë është jashtë përdorimit.

“Toka këtu, kasollja, jonxha dhe 200 ballë më jonxhë që pata i mori lumi. Shiko si është bërë bari që ka mbetur pleh, çfarë do të hanë delet tani, po lopët? Ku ta gjej unë ushqimin, është bërë pleh i gjithë. Duam ndihmë nga shteti ju lutem”, thotë ai.

Ashtu si gjithë fermerët, Flori kërkon të dëmshpërblehet, e nëse kjo nuk ndodh atëherë ai premton se do të largohet përgjithnjë nga Shqipëria, për t’ju bashkuar 2 vëllezërve në Greqi.

“Mendoj që t’i shes fare”, tha ai.

Të ardhurat e vetme të familjes Flori i siguronte nga shitja e qumështit dhe e qingjave, sipas tij mungesa e ushqimit belgtoriale ne fermerë, do të shkaktojë krizë ekonomike në familjen e fermerit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB