“Rezultatet nuk janë të besueshme”/ Presidenti i Ugandës fiton me një avantazh të thellë zgjedhjet, lë shumë pas rivalin e tij politik

16/01/2026 21:57

Presidenti i Ugandës, Yoweri Museveni, ka siguruar një epërsi të madhe në zgjedhjet presidenciale të mbajtura të enjten, duke lënë shumë pas rivalin e tij kryesor, Bobi Wine. Megjithatë, partia e këtij të fundit ka vënë në pikëpyetje besueshmërinë e rezultateve.

Sipas të dhënave paraprake nga rreth 70% e qendrave të votimit, Museveni ka marrë 75% të votave, ndërsa Wine 21%.

Sipas ‘BBC’, partia e Wine njoftoi në rrjetet sociale se një helikopter kishte zbritur në oborrin e shtëpisë së tij në kryeqytet, Kampala, dhe se ai ishte marrë me forcë drejt një destinacioni të panjohur. Pretendimi nuk ka mundur të verifikohet, pasi qasja në internet është ndërprerë.

Më herët, Wine deklaroi se ishte vendosur në arrest shtëpiak, me forca të shumta sigurie që rrethonin banesën e tij. Zëdhënësi i policisë, Kituuma Rusoke, tha se Wine, si kandidat presidencial, ishte “person me interes” dhe se masat e sigurisë ishin marrë për mbrojtjen e tij.

Gazetarë vendas raportuan se forcat e sigurisë i kishin penguar të hynin në shtëpinë e udhëheqësit të opozitës në zonën Magere të Kampalës.

Wine u bëri thirrje mbështetësve të tij të injoronin “rezultatet e rreme”, duke akuzuar autoritetet se kanë “vjedhur votën”, pa paraqitur prova konkrete, ndërsa autoritetet nuk kanë reaguar ndaj këtyre akuzave.

“Dhjetë persona u vranë brenda në shtëpinë time,” deklaroi ai. Këtë pretendim e konfirmoi për Reuters edhe aktivistja e të drejtave të njeriut, Agather Atuhaire.

Policia lokale e kundërshtoi këtë version. Zëdhënësja Lydia Tumushabe tha se forcat e rendit vepruan në vetëmbrojtje pasi, sipas saj, “banditë të NUP-it” sulmuan një stacion policie dhe planifikonin të pushtonin një qendër numërimi. Ajo deklaroi se të paktën shtatë persona u vranë.

Më vonë të premten, ambasada amerikane lëshoi një alarm sigurie për qytetarët e saj, duke paralajmëruar se forcat e sigurisë po përdornin gaz lotsjellës dhe po qëllonin në ajër për të shpërndarë tubimet.

Kryetari i Komisionit Zgjedhor, Simon Byabakama, tha se ndërprerja e internetit nuk e kishte ndikuar procesin e numërimit të votave, pasi po përdorej një “sistem privat” për transmetimin e rezultateve. Ai shtoi se fituesi i zgjedhjeve presidenciale pritet të shpallet brenda 48 orëve.

Zgjedhjet u zhvilluan pas një fushate të shënuar nga dhuna dhe tensionet. Museveni, 81 vjeç, po kërkon mandatin e tij të shtatë dhe ka qenë në pushtet që nga viti 1986. Ndërsa Wine, 43 vjeç, ish-yll i muzikës pop dhe figurë kryesore e opozitës, premton reforma të thella dhe luftë kundër korrupsionit, duke u mbështetur kryesisht te të rinjtë, që përbëjnë shumicën e popullsisë së vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB