Zjarret, normaliteti i ri/2025, viti i tretë më i ngrohtë në histori

15/01/2026 12:22

Prej më shumë se një dekade temperaturat globale kanë thyer rekorde, ndërsa ekspertët thonë se thatësirat, uraganet dhe zjarret në pyje po kthehen tashmë në normalitetin e ri.

Dhe të dhënat e fundit, e listojnë 2025-sën si vitin e tretë më të nxehtë në histori. Rezultatet nga programi i Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus i BE-së tregojnë gjithashtu se temperaturat globale gjatë tre viteve të fundit kanë qenë mesatarisht më shumë se 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para industriale.

Kjo është hera e parë që një periudhë trevjeçare e ka tejkaluar këtë prag. Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej kohësh për rreziqet e kalimit të pragut të temperaturës të vendosur nga Marrëveshja e Parisit e vitit 2015. Ata thonë se ngrohja mbi atë nivel do të thotë më shumë ditë me nxehtësi ekstreme, si dhe një rrezik në rritje të përmbytjeve vdekjeprurëse dhe stuhive shkatërruese. Gazrat serrë, të cilët thithin dhe bllokojnë nxehtësinë në atmosferë, mbeten shkaku kryesor i ngrohjes globale.

“Të dhënat atmosferike të vitit 2025 tregojnë një pamje të qartë: aktiviteti njerëzor mbetet nxitësi dominues i temperaturave ekstreme që po vëzhgojmë”, tha Laurence Ruil, drejtor i Shërbimit të Monitorimit të Atmosferës Copernicus, duke shtuar se nivelet e “gazrave serrë janë rritur vazhdimisht gjatë dekadës së fundit”.

Megjithatë, në vitet 2023 dhe 2024, gjërat u përkeqësuan edhe më shumë nga një El Niño veçanërisht i fortë – një model klimatik që ndodh çdo disa vjet dhe “shtyn” nxehtësinë nga oqeanet në atmosferë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB