Pezullimi i vizave amerikane për qytetarët shqiptarë, reagon PD: Tradhti kombëtare, shkaku është Edi Rama

15/01/2026 11:15

Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Rama si përgjegjës për vendimin e fundit të Departamentit të Shtetit për pezullimin e vizave të emigrimit të qytetarëve shqiptarë, mes atyre të 75 vendeve të tjera.

Deputetët Belind Këlliçi, Flamur Noka dhe Ina Zhupa e cilësojnë renditjen e Shqipërisë në këtë listë një tradhëti kombëtare.

“Në vetëm 1 dekadë, Edi Rama na çoi nga një vend që falë PD u anëtarësuam në NATO dhe hoqëm vizat me Europën, në një vend që tashmë partneri ynë kryesor SHBA, na liston mes vendeve jo partnere…!!! Kjo është tradhëti kombëtare”, shkruan Këllici.

Ndërsa sipas Nokës “Kjo është goditja më e madhe në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Edi Rama shkaku je ti”.

Reagimet

Belind Këlliçi: Shqipëria nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në radhë me vendet e pazhvilluara.

Vendimi i fundit i pezullimit të vizave nga SHBA, si mbrojtje nga vendet armike apo ato burim të emigracionit të paligjshëm, e radhit Shqipërinë në një tjetër listë të zezë, kjo falë kreut të narkoshtetit të parë në Europë, Edi Rama.

Politikat shpopulluese, shkombëtarizuese, kriminalizuese dhe lidhjet me narkotrafikun të Edi Ramës në 13 vite kanë prodhuar këtë realitet, që Shqipëria të vendoset në të njëjtin plan me vendet armiqësore si Rusia e Irani apo ato me institucione të dështuara dhe shtet inekzistent.

Në vetëm 1 dekadë, Edi Rama na çoi nga një vend që falë PD u anëtarësuam në NATO dhe hoqëm vizat me Europën, në një vend që tashmë partneri ynë kryesor SHBA, na liston mes vendeve jo partnere…!!!

Kjo është tradhti kombëtare.

Flamur Noka: Për shkak të narkoshtetit të Edi Ramës e pësojnë shqiptarët.

Shqipërisë, shtet anëtar në #NATO që nga viti 2009, i ndalen procedurat për marrjen e vizës amerikane

Departamenti i Shtetit ka ndalur procedimin e vizave për 75 vende, përfshirë Shqipërinë.

Kjo është goditja më e madhe në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Edi Rama shkaku je ti

Ina Zhupa: Vendimi i SHBA-së për të pezulluar vizat për Shqipërinë është një kambanë alarmi për realitetin ku ka përfunduar vendi me qeverisjen e Edi Ramës!

Për vite kemi dëgjuar slogane për “partneritet strategjik”, “imazh të përmirësuar” dhe “besueshmëri ndërkombëtare”, ndërsa sot vendi ynë renditet në të njëjtën kategori me shtete që njihen për izolim, paqëndrueshmëri dhe mungesë standardesh.

Kjo nuk është rastësi. Është pasojë e drejtpërdrejtë e një shteti të dobësuar nga lidhjet me narkotrafikun, nga korrupsioni, nga krimi i organizuar dhe nga institucione që funksionojnë për interesa politike, jo për qytetarët.

Në fund, ata që dëmtohen janë qytetarët shqiptarë!

Ky është një hap prapa për Shqipërinë, jo sepse partnerët na kanë braktisur, por sepse qeverisja ka dështuar. Kjo qeveri e dështuar duhet larguar një orë e më parë për të mirën e vendit!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB