“Jam pronari”/ Vodhi automjetin e parkuar duke mashtruar rojën, pranga 18-vjeçari në Tiranë

15/01/2026 10:35

Një 18-vjeçar është vënë në prangat e policisë pasi ka vjedhur një automjet duke mashtruar rojën e parkimit, duke i thënë se është ai pronari.

Ngjarja ndodhi në rrugën “Hajdar Hidri”, ndërsa makina e vjedhur u gjet në fshatin Valias.

Njoftimi:

Vodhi 1 automjet, duke mashtruar rojën e vendparkimit në rrugën “Hajdar Hidri”, se ishte pronari i automjetit, identifikohet dhe arrestohet 18-vjeçari.

Gjendet në Valias, dhe sekuestrohet automjeti i vjedhur, tip “Volkswagen Jetta”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, menjëherë pas njoftimit se në një vendparkim për automjete, në rrugën “Hajdar Hidri”, ishte vjedhur nëpërmjet mashtrimit, 1 automjet tip “Volkswagen Jetta”, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, u identifikua dhe u arrestua autori i dyshuar i vjedhjes, shtetasi A. L., 18 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, u gjet në fshatin Valias, automjeti i vjedhur.

18-vjeçari dyshohet se me qëllim vjedhjen, ka shkuar te vendparkimi i automjeteve, ku ka mashtruar rojën e subjektit, se do të merrte automjetin e tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB