Dy gratë që luftojnë për të ardhmen e Venezuelës/ Machado kërkon mbështetjen e Trumpit, Rodríguez pret…

15/01/2026 17:32

Dy lidere kryesore po përballen se kush do e marrë kontrollin e Venezuelës dhe vëmendjen e presidentit amerikan Donald Trump.

María Corina Machado, udhëheqësja e opozitës dhe fituese e Çmimit Nobel për Paqen, po kërkon të bindë Trumpin për rolin e saj në tranzicionin politik të Venezuelës, ndërsa Delcy Rodríguez, ish-zëvendëspresidente dhe tani presidente në detyrë, po përpiqet të kënaqë si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe mbështetësit e regjimit të Maduro-s.

Machado do të takohet të enjten me Trumpin për një drekë në Shtëpinë e Bardhë, një mundësi kyçe për të ndikuar në vendimet e presidentit mbi të ardhmen e Venezuelës.

Ndërkohë, Rodríguez ka nisur të lëshojë sinjale bashkëpunimi, duke liruar të burgosur të profilit të lartë dhe ofruar eksport të naftës për SHBA-në, duke treguar se mund të jetë një partner pragmatik dhe stabil për administratën amerikane.

Situata është e ndërlikuar, Rodríguez duhet të ruajë mbështetjen e elementëve të regjimit të Maduro-s dhe ushtrisë, ndërsa bind Trumpin për qëndrueshmërinë dhe besnikërinë e saj.

Ekspertët paralajmërojnë se takimi i Machados mund të ndryshojë shumë gjëra, duke i dhënë opozitës një mundësi të rrallë për të fituar mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë.

Në sfond qëndron presioni i vazhdueshëm i SHBA-së mbi Venezuelën, pas operacionit që rrëzoi Maduro-n, dhe pasiguria mbi udhëheqjen e ardhshme të vendit, i cili po përballet me krizë ekonomike dhe politike.

Machado pritet të përdorë takimin për të bindur Trumpin se opozita duhet të marrë drejtimin e tranzicionit politik dhe se mbështetja për Rodríguez është një gabim. Ajo gëzon mbështetje të fortë mes kundërshtarëve të regjimit, pasi fitoi bindshëm primaret e opozitës dhe mobilizoi protesta masive kundër rizgjedhjes së kontestuar të Madurros.

Megjithatë, shoqëria venezueliane mbetet e ndarë. Disa shohin te Machado figurën e vetme që mund të rikthejë demokracinë, ndërsa të tjerë besojnë se një tranzicion i udhëhequr nga Rodríguez mund të shmangë destabilizimin dhe përplasjet me ushtrinë dhe grupet e armatosura pro-qeveritare.

Mbetet për t’u parë nëse takimi në Zyrën Ovale do të ndryshojë qëndrimin e Trumpit dhe balancat e pushtetit në Venezuelë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB