Venezuela e zhgënjyer me Rusinë pas arrestimit të Maduros, Bloomberg: Aleatët e Moskës në botë ndihen të braktisur

14/01/2026 17:23

Dora e rëndë e Vladimir Putinit në luftën e Rusisë me Ukrainën gjatë vitit të kaluar dhe përqendrimi i tij në nxjerrjen e fitimeve më të mëdha të mundshme nga vendi fqinj i kanë lënë aleatët strategjikë të Moskës në të gjithë botën gjithnjë e më të frustruar ose madje të braktisur.

Nga Damasku dhe Teherani në Havanë, regjimet autoritare që kanë investuar vite në marrëdhënien e tyre të ngushtë me Kremlinin kanë zbuluar, gjatë 13 muajve të fundit, se mbështetja ruse mungon kur ata kanë më shumë nevojë për të.

Në shembullin më të fundit, atë të Venezuelës, zhgënjimi ka qenë veçanërisht i dhimbshëm. Sipas Bloomberg, zyrtarët në vend tani besojnë se aleanca e gjatë e sigurisë me Rusinë ka rezultuar të jetë një “tigër prej letre”, një term i përdorur nga Trump. Karakasi priste që Moska të ndihmonte në mbrojtjen e Nicolas Maduros, por gjatë operacionit amerikan nuk pati ndihmë të konsiderueshme.

Sipas të njëjtave burime, shërbimet e inteligjencës ruse dhe kubaneze nuk arritën të paralajmëronin për kërcënimin në kohë. Sistemet ruse kundërajrore S-300 dhe Buk rezultuan praktikisht të padobishme pa mbështetjen e nevojshme teknike, ndërsa mbrojtja kibernetike u shemb, duke i lejuar Shteteve të Bashkuara të ndërpresnin energjinë elektrike në zona të Karakasit dhe kështu të hapin rrugën për arrestimin e Maduros.

Ky zhvillim ka dëmtuar seriozisht besimin si në Moskë ashtu edhe në Kubë. Pasardhësja e Maduros, Delcy Rodriguez, thuhet se tani ka vetëm një zgjedhje realiste: të pranojë propozimin amerikan dhe të dobësojë lidhjet e vendit me Rusinë dhe Kubën, sipas Bloomberg.

Burimet thonë se Kremlini u mërzit nga operacioni amerikan, por pranoi se marrëdhëniet me Uashingtonin tani kanë më shumë rëndësi për Moskën sesa ato me Karakasin. Arrestimi i Maduros u përshkrua si “i pakëndshëm, por jo katastrofik”.

Kujtohet se Donald Trump më parë e kishte përshkruar publikisht Rusinë si një “tigër letre”, me Kremlinin që iu përgjigj në atë kohë se Rusia ishte një “ari”. Megjithatë, duke gjykuar nga reagimi i Venezuelës, edhe aleatët tradicionalë të Moskës tani duket se po e vënë në pikëpyetje këtë imazh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB