Rrëshqitje dherash dhe akse të bllokuara, situata problematike në disa bashki të qarkut Gjirokastër

14/01/2026 10:32
Foto ilutruese

Bashkitë e qarkut Gjirokastër vijojnë punën në terren për përballimin e pasojave të reshjeve të fundit të shiut, me fokus largimin e dherave, pastrimin e rrugëve dhe vlerësimin e dëmeve.

Në Bashkinë Gjirokastër, gjatë ditës së sotme do të vazhdojë puna në njësinë administrative Qytet, konkretisht në lagjen “Granicë” e sipërme, në përroin e Gjokanës në lagjen “Zinxhira”, si dhe në zonën pas Kalasë, në lagjen “Pazar i Vjetër”, ku ka rrëshqitje dherash.

Pas raportit të gjeologëve, do të ndërhyhet për largimin e dherave pranë ish-agjencisë së udhëtarëve dhe sërish në përroin e Gjokanës. Forcat bashkiake, në bashkëpunim me forcat dhe mjetet e Forcave të Armatosura, do të vijojnë punën në njësinë administrative Lunxhëri për pastrimin e aksit rrugor të fshatit Dhoksat drejt fshatrave Gjatë, Këllëz dhe Qestorat. Po ashtu, do të kryhet pastrimi i rrugëve të brendshme në fshatin Lazarat.

Në Bashkinë Libohovë, në njësinë administrative Zagori, rrugët hyrëse të fshatrave Zhej, Lliar dhe Topovë vijojnë të jenë të bllokuara për shkak të rrëshqitjeve të dherave. Ndërhyrja mbetet e kushtëzuar nga raporti i gjeologëve, pasi formacionet janë të paqëndrueshme.

Në Bashkinë Memaliaj, në njësinë administrative Memaliaj fshat, një rrugë e brendshme mbetet ende e bllokuar. Pritet vlerësimi i specialistëve gjeologë për ndërhyrje, ndërsa bashkia do të punojë për largimin e dherave vetëm në zonat ku nuk paraqitet rrezik.

Në Bashkinë Dropull, problematikë mbetet dëmtimi i urës së Glinës, ku reshjet e fundit kanë dëmtuar edhe një këmbë tjetër të urës.

Në Bashkinë Përmet, aksi rrugor Përmet–Dogana e Tre Urave ka qarkullim me një kalim në një segment rreth 25 metra, në hyrje të fshatit Petran. Pritet vlerësimi i gjeologëve për ndërhyrje në lagjen “Sede” në qytetin e Përmetit. Gjatë ditës së sotme do të punohet për pastrimin e rrugëve të brendshme në fshatrat Bual, Hotovë, Mokricë dhe Kosovë, në njësinë administrative Piskovë, si dhe në fshatin Tremsht, njësia administrative Petran.

Në Bashkinë Këlcyrë nuk raportohen bllokime të akseve rrugore. Pastrimi i inerteve ka përfunduar dhe infrastruktura i është rikthyer normalitetit. Komisioni i posaçëm vijon punën për vlerësimin e dëmeve.

Në Bashkinë Tepelenë, aksi Subash–Hormovë, në rrugën e vjetër, nuk mundëson qarkullimin e mjeteve të rënda. Ndërhyrja do të kryhet sapo të ulet niveli i ujit në përroin e Tërbuqit. Gjatë ditës së sotme pritet të përfundojë puna në fshatin Hormovë për drenazhimin e ujërave në një banesë që rrezikohet nga ulja e sipërfaqes së tokës.

Nga OSHEE bëhet me dije se i gjithë qarku furnizohet normalisht me energji elektrike.

Ndërkohë, lumenjtë Vjosë dhe Drino, si dhe të gjitha degët e tyre, paraqiten në kuota normale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB