Edhe pse kalendari thotë që ka 31 ditë, janari na duket muaji më i gjatë i vitit.
Ky perceptim vjen për një sërë arsyesh, por më kryesorja është kontrasti i thellë me dhjetorin, ku pas një periudhe me festa dhe pushime, rikthimi në rutinë na vë përpara përgjegjësive dhe angazhimeve që duhen përmbushur.
Kjo sipas psikologes Muça, të krijon idenë e një kohe që ecën më ngadalë, çka ul dhe motivimin.
“Ne vijmë nga një periudhë festash dhe kemi një hormon kënaqësie ne maksimumin e vet.
Mos të harrojmë që gjatë muajit të festive kemi abuzuar me veten, kemi pritur orën tonë biologjike, rutinën e përditshme, kemi prishur gjumin, vaktet e të ngrënit dhe në momentin që kthehemi dhe hyjmë në muajin janar, kjo rutinë nuk është më.
Kemi më shumë detyra që i kemi ngarkuar vetes ndërkohë që këtu fillon pastaj dhe melankolia, fillon trishtimi dhe pasiguria që ndjemë tek vetja, dhe kjo në vetvete sjell lodhje tek individi.
Ka edhe një element që është shumë i dukshëm gjatë janarit, kemi më pak dritë, orë më të gjata në errësirë, që ndikon në organizëm tek individi, prandaj dhe ndjehemi më shumë të përgjumur”, u shpreh psikologia Arjana Muça .
Shpenzimet e shumta gjatë dhjetorit ndikojnë edhe në muajin janar, duke e lënë buxhetin më të kufizuar, e duke rritur kështu stresin.
“Kur futemi në muajin janar ne e dimë që gjithmonë ka një vonesë në marrjen e rrogave në administratën shtetërore, dhe harxhimet që kemi bërë ndikojnë patjetër në buxhetin tonë sepse në fund të ditës ne ecim me planifikime. Kjo shton stresin tek individi”, tha psikologia.
Kjo është një gjendje që prek një pjesë të madhe të njerëzve si në europë dhe më gjerë, ndaj dhe rekomandohet qëndrimi në diell dhe ecja në natyrë, për tu shplodhur dhe për tu furnizuar me energji.
Top Channel