Inside Story/ Përmbytje në… mal, ekspertët zbulojnë pse u gjunjëzua Gjirokastra nga vërshimet
Ky është hidrovori i ri i ndërtuar vetëm pak vite më parë. Gjatë ditës që e vizitoi Inside Story më 8 janar, deti kishte shumë stuhi, duke e bërë të vështirë operimin e tij.
Grupi i punës që ndodhej në atë moment në objekt i tha Inside Story se hidrovori punonte me kapacitet të plotë, por kishte vështirësi për shkak të dallgëve të forta për të zbrazur ujin.
Po ashtu, ata sqaruan se për shkak të volumit të madh të mbeturinave ishin të detyruar që herë pas here të stoponin punën dhe të pastronin krehërat nga mbetjet e shumta.
Megjithatë, burime konfidenciale që e kishin vizituar këtë hidrovor të njëjtën ditë na thonë se, në të vërtetë, ai punonte me kapacitet të reduktuar, me vetëm tre pompa.
Ky hidrovor ka 9 pompa, por 3 prej tyre qëndrojnë në gadishmëri në rast avarie dhe aktualisht duhet të funksionojë me 6 pompa. Po ashtu, ekspertët dyshojnë se hidrovori i ri u ndërtua në një kuotë më të lartë se ai i vjetri, duke e bërë të vështirë procesin e largimit të ujit.
Ky është hidrovori i vjetër, i cili po ashtu, gjatë vizitës së Inside Story, punonte me kapacitet të plotë. Duke qenë se ai shkarkon brenda Portit të Porto Romanos, ai e kishte më të lehtë shkarkimin, pasi nuk i derdhte ujërat në det të hapur, por në një zonë më pak të ekspozuar nga dallgët e forta të detit.
Megjithatë, në hyrje të tij situata është dramatike. Male të tëra me mbeturina janë grumbulluar para se ujërat të thithen nga pompat, duke e bërë të vështirë procesin e pompimit në det. Siç edhe dëshmohet nga këto pamje, askush nuk kujdeset për largimin e tyre. Përmbytjes nuk i shpëtoi thuajse asnjë zonë nga bashkia e Durrës, madje as vetë qyteti. Veliera, një projekt që kushtoi 12 milionë euro, u mbush me ujë që në ditët e para.
“2.4 miliardë euro që janë harxhuar në këto vitet e fundit për projekte zbukuruese, kur qytetet tona kanë nevojë për investime përmbajtësore dhe sistemi i largimit të ujit dhe shiut është një funksion thelbësor”, u shpreh Gentian Kaprata, urbanist.
Durrësi është një ndër bashkitë që ka përfituar rreth 40 mln euro nga projektet e rilindjes urbane, por vetëm pak orë me reshje shiu mjaftojnë për ta përmbytur.
Në vitin 2021 u ndërtua hidrovori i ri në Porto Romano, rrjeti i kanaleve kulluese dhe atyre për tërheqjen e ujërave të shiut. Projekti u realizua nga bashkimi i kompanive 2T SHPK, Vëllezërit Hysa SHPK dhe Adriatik SHPK. Por kjo vepër ka kaluar në disa peripeci, duke nxjerrë në sipërfaqe investimin problematik që kushtoi rreth 20 milionë euro…
“Hidrovoret kanë një problem nëse i bën pa dy pare mend në kokë. Ndërtohen afër detit që të marrin ujin që vjen te toka e ta kalojnë tutje. Hidrovoret janë krijuar jo afër një baseni të mundshëm për ta përcjellë ujin dhe pastaj uji të kalojë në det. Ose edhe kur uji kalon në det, nuk është bërë llogaritja nëse është baticë apo është zbaticë”, u shpreh Enriko Cenko, ekspert ekonomie.
Sipas ekspertëve, vepra është ndërtuar mbi nivel dhe nuk arrin të tërheqë ujërat që pushtuan qytetin. Pra, një investim me vlerë 1 miliard e 970 milionë lekë pa TVSH, që nuk justifikon shpenzimin e madh. Oferta fituese e tenderit në fjalë ishte vetëm rreth 1.8 milionë lekë më pak se fondi limit. Një diferencë pothuajse simbolike që ngre mjaft pikëpyetje mbi Bashkinë Durrës.
Për të gjitha dyshimet mbi cilësinë dhe procedurën e tenderimit, prokuroria ka nisur hetimet, si dhe ka sekuestruar dosjen e ndërtimit të veprës së hidrovorit të ri të Durrësit.
Top Channel