Inside Story/ Përmbytje në… mal, ekspertët zbulojnë pse u gjunjëzua Gjirokastra nga vërshimet
Së fundi u nënshkrua një tjetër kontratë me vlerë 34 milionë lekë për rehabilitimin e kanalit të ujërave të larta në këtë aks. Kontrata është nënshkruar vetëm pak ditë përpara përmbytjeve, në datën 30 dhjetor 2025, me kompaninë Beqiri SHPK.
Tenderi rezulton me flamur të kuq, për shkak se janë skualifikuar konkurrentët në garë, duke përfshirë edhe ata që kanë ofertë më të ulët. Bashkia e Durrësit është kujtuar për rehabilitimin pikërisht në periudhë përmbytjesh, edhe pse Durrësi ka qenë nën ujë vazhdimisht.
“Ajo që kuptojmë është se kemi të bëjmë me një braktisje totale të vendimmarrjes, të hartografisë, por njëkohësisht edhe të të dhënave shkencore sa u takon këtyre informacioneve që lidhen me nëntokën”, u shpreh urbanisti Artan Kacani.
“Në aspektin menaxherial kemi 4 funksione: planifikim, organizim, drejtim, kontroll. Tani duket që këto 4 nuk kanë funksionuar”, u shpreh eksperti i ekonomisë Enriko Ceko.
Nëse duhet të gjejmë përgjegjësinë njerëzore, atëherë duhet të ndjekim paratë. Veç investimeve të mëdha, miliona euro, sipas të dhënave të periudhës 2015–2025, në tërësi për hidrovorët janë shpallur 18 tendera dhe janë lidhur 12 kontrata. Këto kanë të bëjnë me blerje pjesësh të caktuara dhe të gjitha kapin vlerën rreth 83 milionë lekë.
Këtu nuk duhen harruar edhe projektet në kuadër të rindërtimit që përfshijnë investimet në kanalizime. Një tender prej 117 milionë lekësh të reja përfshinte investimin në kanalizime në segmentet Rruga Pavarësia–Duna–Bajram Curri–Vija Bregdetare. Subjekti realizues ishte kompania Everest SHPK.
Një tjetër investim i madh është ai i sistemimit të ujërave të zeza në lagjen e re në Spitallë, me vlerë 54 milionë lekë të reja. Kontrata u fitua nga subjektet “IDEAL CONSTRUCTION AND PROJECTION” dhe “BALILI KONSTRUKSION”. Për një tjetër tender janë shpenzuar plot 16 milionë lekë të reja për rehabilitimin e digës së ujëmbledhësit në Spitallë, në vitin 2020.
Projekti u realizua nga kompania SHKELQIMI 07.
“Projekti i menaxhimit të burimeve ujore ishte një projekt i filluar që në vitin 1993 me financim të Bankës Botërore, kredi shumë e butë me financim 0.025% interes, që do të paguhej duke filluar nga viti 2050 e andej, dhe ishte një projekt që ne arritëm të rikonstruktonim pjesën më të madhe të kanaleve ujitëse dhe kulluese të regjimit të kaluar. Në vitin 2009, unë nuk e di se për çfarë arsyeje u vendos që projekti i madh i menaxhimit të ujërave të copëtohej dhe të ndahej në 13 prefektura. Projekti u mbyll dhe që nga viti 2011 filluan përsëri përmbytjet”, u shpreh Enriko Ceko, ekspert ekonomie.
Në vitin 2026, Bashkia Durrës ka parashikuar plot 73 milionë lekë për ndërhyrje dhe rehabilitim në 79 kilometra linearë kanalizime. Pak a shumë fondi ka qenë i përafërt edhe vitin paraardhës, por, siç tregoi situata e fundit në terren, kanalet rezultuan të bllokuara në mjaft zona.
Këto mosveprime dhe abuzime nga institucionet për projektet e kullimit kanë vënë në lëvizje Prokurorinë e Durrësit, e cila ka nisur hetim pas përmbytjeve për akuzat “shpërdorim detyre”, “shkatërrim i pronës nga pakujdesia” dhe “shkatërrim i pronës me përmbytje”.
Top Channel