Arratisja e Altin Ndocit/ Të burgosurit me rrezikshmëri të lartë transferohen nga burgu i Durrësit në Fier
Dy shkolla 9-vjeçare në qytetin e Kavajës po përballen me mungesën e ngrohjes në ditët më të ftohta të dimrit, duke vënë në vështirësi nxënësit dhe duke ngritur shqetësime serioze te prindërit.
Denoncimi ka mbërritur në redaksinë e emisionit investigativ “Fiks Fare”, ku një prind shprehet se në njërën prej shkollave u janë kërkuar para nxënësve për të siguruar ngrohjen.
Sipas mesazhit të mbërritur, në shkollën 9-vjeçare “Rilindja”, prindërit pretendojnë se fëmijëve u është kërkuar nga 35 euro për ngrohjen e ambienteve mësimore. Gazetarët shkuan në këtë shkollë, ku gjetën drejtorin e Zyrës Vendore të Arsimit Kavajë dhe drejtoreshën e institucionit, të cilët mohuan kategorikisht mungesën e ngrohjes dhe faktin se janë kërkuar para nga nxënësit.
Megjithatë, drejtuesit e shkollës nuk lejuan hyrjen e kamerës brenda ambienteve. Gazetarja arriti të hyjë në katin e parë të shkollës, ku konstatoi se disa kaloriferë funksiononin, ndërsa të tjerë jo, duke krijuar kushte të pabarabarta për nxënësit.
Situata paraqitet edhe më problematike në shkollën 9-vjeçare “3 Dëshmorët”, një nga shkollat më të mëdha në Kavajë. Sipas një tjetër denoncimi, prej rreth pesë ditësh aty mungon ngrohja, ndërsa nxënësit janë të detyruar të ndjekin mësimin në temperatura të ulëta.
Gazetarët hynë në shkollë së bashku me drejtorin e ZVA Kavajë, ku drejtori i institucionit, Florenc Xhihani, shpjegoi se sistemi i ngrohjes nuk funksionon për shkak të mungesës së gazit. Ai tha se kondicionerët, kur ndizen, nxjerrin ajër të ftohtë dhe jo të ngrohtë. Sipas tij, problemi është evidentuar prej disa ditësh dhe është raportuar në bashki, ndërsa specialistët kanë konstatuar rrjedhje gazi.
Përkohësisht, shkolla ka tentuar të zgjidhë situatën me disa ngrohëse për klasat nga e para deri në të pestën, ndërsa nxënësit e klasave nga e gjashta deri në të nëntën nuk kanë asnjë formë ngrohjeje në klasa.
Gazetarët u drejtuan në Bashkinë e Kavajës, ku Drejtori i Shërbimeve, Mario Kola, pranoi problemin në të dyja shkollat. Ai deklaroi se në shkollën “Rilindja” ngrohja është rregulluar, ndërsa në shkollën “3 Dëshmorët” problemi vijon ende për shkak të mungesës së gazit, i cili pritet të blihet.
Zyrtari i bashkisë pranoi gjithashtu se problemi duhej identifikuar më herët, por theksoi se po punohet për ta zgjidhur sa më shpejt. Sa i përket shkollës “Rilindja”, ai u shpreh se kaldaja ka kapacitet të kufizuar dhe për shkak të temperaturave shumë të ulëta nuk ka pasur fuqi të mjaftueshme për të ngrohur të gjitha ambientet.
Top Channel