Drama e një nëne me përmbytjet/ 78-vjeçarja nga Durrësi kujdeset e vetme për djalin me karrocë, ndërsa shtëpinë ia pushtoi uji

14/01/2026 19:57

Në zonën e ish-kënetës në Durrës, aty ku qiratë janë më të lira, por rreziku më i madh, jeton edhe Kristina Kazanxhi, 78 vjeçe nga Durrësi.

E humbi shtëpinë e saj vite më parë dhe prej dekadash kujdeset e vetme për djalin e saj, Arturin, 53 vjeç, i pamundur për të lëvizur pa karrocë me rrota. Në një dhomë të vetme me qira, ata u përballën frikshëm me përmbytjet.

Nënë e bir u evakuuan dhe qëndruan në spital gjatë ditëve të emergjencës. Vetëm mbrëmjen e kaluar u kthyen në banesë. Fqinjët, së bashku me zjarrfikësit, nxorën ujin dhe rregulluan sadopak dhomën e vetme ku ata jetojnë. Dhe ajo është plot mirënjohje për ta.

Një sakrificë e heshtur nëne që lufton e vetme për djalin e pamundur, duke u përballur edhe me mungesë mbështetjeje nga mjekët e familjes dhe strukturat e tjera për pagesën e paaftësisë dhe kujdestarisë.

Sot, në moshën 78-vjeçare, frika e saj më e madhe është se mos largohet nga kjo jetë pa ditur se kush do të kujdeset për Arturin.

E lodhur nga jeta dhe të papriturat, si përmbytjet e fundit, e moshuara vazhdon çdo ditë betejën e saj. Ende lan me dorë rrobat. I gatuan, e ledhaton dhe e qetëson të birin. Zemra e saj rreh vetëm për të, ndonëse dhe vetë ka nevojë për kujdes e vëmendje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB