Chiesa–Juventus, rikthimi që po merr formë/ Lojtari gati të ulë pagën, pritet marrëveshja mes palëve

14/01/2026 11:05

Federico Chiesa dhe Juventusi po afrohen gjithnjë e më shumë. Një vit e gjysmë pas largimit të tij me ngurrim drejt Liverpoolit, rikthimi i mundshëm në Torino po ndez tregun e transferimeve të bardhezinjve. Interesi është i ndërsjellë: Chiesa dëshiron Juventusin dhe Juve e sheh atë si përforcim ideal për repartin ofensiv.

Trajneri Luciano Spalletti kërkon një sulmues krahu që të shërbejë si alternativë për Conceição ose Yildiz, të cilët mund të aktivizohen edhe në qendër. Në këtë kuadër, Chiesa do të ofronte fleksibilitet taktik, duke qenë i aftë të luajë si anësor, por edhe si sulmues endacak, duke krijuar hapësira mes linjave.

Sezoni i tij te Liverpool nuk ka qenë i ndritshëm: 529 minuta të luajtura dhe vetëm dy gola me fanellën e Reds këtë sezon, ndërsa që nga viti 2024 ka regjistruar 36 paraqitje në të gjitha garat me pesë gola në total. Sinjale të qarta pakënaqësie u panë edhe së fundmi, kur Chiesa u rikthye në stol gjatë ndeshjes së Kupës FA, me një buzëqeshje ironike që nuk kaloi pa u vënë re.

Sipas Gazzetta dello Sport, negociatat po ecin përpara dhe lojtari është i gatshëm të bëjë një sakrificë të rëndësishme ekonomike: Chiesa thuhet se ka pranuar të ulë pagën nga 6 milionë euro në sezon që përfiton aktualisht në Angli. Një gjest i vlerësuar shumë në Torino, megjithëse mbetet për t’u bindur Liverpooli që të zbusë kërkesat e tij financiare.

Ndërkohë, drejtuesit bardhezinj Comolli dhe Ottolini vazhdojnë të mbajnë të hapura edhe pista të tjera, si ato që çojnë te Daniel Maldini dhe Albert Gudmundsson, duke e bërë merkaton e Juventusit gjithnjë e më dinamike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB