Rusia ka nisur të riorganizojë rrjetin e saj të eksportit për të shmangur sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara dhe për të siguruar që India të vazhdojë të importojë naftë ruse me çmime të ulëta.
Që nga nisja e luftës në Ukrainë, India është kthyer në një nga blerësit më të mëdhenj të naftës ruse, për shkak të çmimeve të ulëta të ofruara nga Moska pas vendosjes së sanksioneve perëndimore.
Megjithatë, marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Indisë janë përkeqësuar ndjeshëm muajt e fundit, pasi administrata e presidentit Donald Trump ka ushtruar presion të fortë ndaj Nju Delhit për të ndalur këto blerje.
SHBA ka vendosur tarifa ndëshkuese prej 25% ndaj importeve indiane dhe ka kërcënuar me masa edhe më të ashpra, deri në 500%, për shkak të vazhdimit të blerjes së naftës ruse.
Pavarësisht këtyre presioneve, India ka deklaruar se politikat e saj energjetike janë çështje sovrane dhe nuk do të ndryshojnë.
Sanksionet e fundit amerikane, të vendosura në fund të nëntorit, synojnë kompanitë ruse Rosneft dhe Lukoil, dy eksportuesit më të mëdhenj të naftës.
Si pasojë, importet e Indisë nga Rusia ranë nga rreth 1.7 milion fuçi në ditë në 1.2 milion fuçi gjatë muajit dhjetor.
Megjithatë, ekspertët thonë se Rusia po përdor kompani të reja si ndërmjetëse për të vazhduar furnizimin.
Nëse nafta shitet përmes këtyre kompanive të reja, rafineritë indiane nuk preken drejtpërdrejt nga sanksionet amerikane.
Sipas analistëve të tregut, çmimi i ulët i naftës ruse mbetet shumë joshës për Indinë, e cila importon rreth 90% të nevojave të saj për naftë.
Aktualisht, nafta ruse është 9 deri në 10 dollarë për fuçi më e lirë se ajo e vendeve të Lindjes së Mesme.
Për këtë arsye, pritet që importet indiane të naftës ruse të rikthehen së shpejti në nivelet e mëparshme, pavarësisht përpjekjeve të SHBA për t’i kufizuar ato.
Top Channel