Përmbytjet në Shkodër, niveli i ujit në rënie në Obot, 945 ha tokë bujqësore nën ujë

13/01/2026 09:30

Situata e përmbytjeve paraqitet duke u përmirësuar në Shkodër, ku është konstatuar ulje e nivelit të ujit në zonat e Obotit dhe Dajçit.

Sipas raportimeve nga KESH, që prej mbrëmjes së djeshme ka pasur ulje të shkarkimeve nga kaskada, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në rënien e nivelit të ujit në zonat e përmbytura.

Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore mbetet i pakalueshëm, pasi prezenca e ujit arrin rreth 105 cm, duke e bërë të pamundur qarkullimin e mjeteve, përfshirë edhe mjetet e larta të Forcave të Armatosura. Në këto kushte, transporti i banorëve po kryhet përmes varkave të FA.

Në fshatin Obot, 65 banesa paraqesin prezencë uji në oborre, ndërsa nuk raportohet për ujë në brendësi të banesave. Gjatë ditës së sotme vijon furnizimi i banorëve me ujë të pijshëm dhe koncentrat për gjënë e gjallë, në ndihmë të familjeve të prekura.

Në Njësinë Administrative Dajç, konkretisht në zonën Urrelat–Shirq, uji ka dalë në kanalet kulluese të tokave bujqësore, por deri më tani nuk ka raportime për banesa të përmbytura.

Sipas të dhënave paraprake, sipërfaqja totale e tokës bujqësore me prani uji vlerësohet rreth 945 hektarë, e shpërndarë si më poshtë:

Njësia Administrative Dajç: rreth 120 ha

Njësia Administrative Velipojë: rreth 195 ha

Njësia Administrative Ana e Malit: rreth 600 ha

Njësia Administrative Bërdicë: rreth 30 ha

Autoritetet bëjnë me dije se monitorimi në terren vijon pa ndërprerje dhe çdo zhvillim i mëtejshëm do të komunikohet në vijim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB