Kjo është ajo që la pas situata e krijuar nga reshjet e dendura të ditëve të fundit në vijën bregdetare të Lezhës. Bregdeti është mbuluar nga mbetje të shumta, të cilat janë transportuar drejt plazheve nga prurjet e lumenjve.
Reshjet intensive kanë rritur ndjeshëm nivelin e lumenjve Buna, Drin dhe Mat, të cilët kanë sjellë në breg sasi të konsiderueshme mbetjesh, kryesisht trungje drurësh, degë, mbetje plastike dhe materiale të tjera inerte. Pas tërheqjes së ujit të detit, situata është bërë më e dukshme në plazhet e Shëngjinit dhe Tales, ku zona të tëra janë mbuluar nga ndotja.
Kjo gjendje ka ndikuar jo vetëm në pamjen e vijës bregdetare, por edhe në mjedisin natyror duke krijuar një ndotje alarmante. Mbetjet e grumbulluara përgjatë bregut përbëjnë rrezik për ekosistemin detar, si dhe për përdorimin normal të plazheve.
Me përmirësimin e kushteve atmosferike, në terren kanë nisur ndërhyrjet për pastrimin e vijës bregdetare. Mjete dhe punonjës janë angazhuar për largimin e mbetjeve të transportuara nga lumenjtë dhe për rikthimin gradual të hapësirave publike në gjendje normale.
aksioni i pastrimit do të vijojë edhe në ditët në vijim, në varësi të situatës dhe prurjeve të mëtejshme të lumenjve, të cilat vijojnë të mbeten një faktor ndikues në ndotjen e bregdetit të Lezhës.
Top Channel