Dolën krah demonstratave antiqeveritare në vend, Irani u bën thirrje disa ambasadorëve: Mbështetja për protestuesit, ndërhyrje e papranueshme

12/01/2026 18:06

Qeveria iraniane ka thirrur ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Italisë, në një veprim që shihet si një paralajmërim i drejtpërdrejtë ndaj vendeve perëndimore.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, i mblodhi ambasadorët për t’u shfaqur atyre një seri videosh nga protestat që kanë shpërthyer prej ditësh në mbarë vendin. Sipas raportimeve, pamjet thuhet se tregonin “akte dhune nga protestuesit”.

Zgjedhja e ambasadorëve nuk ishte e rastësishme, pasi këto vende kanë shprehur më herët mbështetje publike për protestat masive antiqeveritare në Iran.

Sipas mediave iraniane, Teherani u bëri të qartë ambasadorëve se çdo mbështetje politike apo mediatike për protestat konsiderohet e papranueshme dhe do të trajtohet si ndërhyrje në punët e brendshme të Iranit.

Toni i ashpër i ministrit Araghchi vjen pas një takimi të tij me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff. Burime iraniane bëjnë të ditur se Teherani i ka kërkuar Witkoff-it të bëjë gjithçka të mundur për të ulur tensionet e shkaktuara nga deklaratat e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB