Grupet kriminale nga Ballkani lidhje me Venezuelën, EUROPOL: Por jo destinacion kryesor

12/01/2026 14:29

Grupet e organizuara kriminale nga Ballkani kanë lidhje edhe në Venezuelë.

Këtë e tregojnë rastet e sekuestrimeve të kokainës, arrestimeve dhe procedurave gjyqësore që janë përfunduar ose që janë ende në zhvillim, shkruan REL. Këto grupe janë identifikuar nga organizata ndërkombëtare, si EUROPOL dhe INTERPOL, si ndër aktorët kryesorë në trafikimin e kokainës nga shtetet e Amerikës Latine drejt Europës.

Venezuela ka rrëmbyer vëmendjen ndërkombëtare si shtet transit për trafikimin e kokainës pas arrestimit të udhëheqësit të rrëzuar, Nicolas Maduro, nga forcat e Shteteve të Bashkuara në fillim të janarit. Maduro do të përballet me gjykim në SHBA në bazë të një aktakuze që e ngarkon me mbikëqyrje të një rrjeti të tregtisë me kokainë, që ka bashkëpunuar me grupe të dhunshme, përfshirë kartelet meksikane Sinaloa dhe Zetas, rebelët majtistë kolumbianë të FARC‑ut dhe bandën venezuelase Tren de Aragua.

Maduro në seancën e parë dëgjimore të mbajtur në një gjykatë në Nju Jork i mohoi akuzat. Siç thekson për Radion Evropa e Lirë, Sasha Gjorgjevic nga Nisma Globale për Luftimin e Organizatave Kriminale Transnacionale (GI-TOC), Venezuela është e rëndësishme për kontrabandën e kokainës, në të cilën janë të përfshira rrjete kriminale nga Ballkani Perëndimor, sepse ajo përbën “korridor strategjik dalës nga Amerika Latine drejt Atlantikut”. Nga atje, shumica e kokainës shkon ose direkt në Evropë, ose përmes Afrikës Perëndimore në Europë. Megjithatë, eksperti insiston se grupet kriminale nga Ballkani, Venezuela është e rëndësishme, por jo destinacioni kryesor për trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës.

Në këtë kuptim, vendet si Kolumbia dhe Brazili janë shumë më të rëndësishme, dhe në vitet e fundit edhe Ekuadori.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB