Banorët e fshatrave të njësisë administrative Novoselë, kryesisht ata të fshatit Bishan, janë të frikësuar nga prurjet e lumit Vjosë.
Shpesh shihen banorë që shkojnë pranë urës së Mifolit për të parë nga afër rritjen e nivelit të lumit, i cili, pasi arriti nivelin mbi 9.5 metra para dy ditësh, ndërsa ditën e djeshme në mëngjes ra sërish në nivelin 5.5 metra, sot ka rritur përsëri nivelin në kuotat 7.4 dhe 7.5 metra.
Sipas tyre, bëhet fjalë për një rritje të pazakontë të prurjeve të lumit Vjosë, i cili për herë të dytë brenda pak ditësh ka shënuar rritje të nivelit. Ndërkohë, banorët ngrenë shqetësimin dhe kërkojnë ndihmë urgjente për hapjen e kanaleve kulluese, si edhe ndihmë për bagëtitë, pasi rrezikohen nga përmbytjet.
Madje, banorët shprehen se dje u lagën orenditë dhe nisën pastrimin, por sot lumi ka hyrë sërish në banesa. Situata, sipas tyre, është e pazakontë.
Top Channel