Opinion/ Preç Zogaj: Kur rrëzimi i qeverisë nuk varet nga opozita

11/01/2026 16:35

Nga Preç Zogaj*

Rrëzimi i qeverisë së Edi Ramës në mandatin e tij të katërt nuk është një endërr në diell siç ka qenë në vitin 2017 kur PD e asaj kohe u vetëpengua në qëndrime ndërbllokuese, duke e çiftëzuar kërkesën për largimin e Ramës me sabotimin e ngritjes se komisioneve parlamentare ad – hok prej nga do të startonte zbatimi i Reformës në Drejtësi.

Apo siç ka qenë në vitet 2019-2021 kur PD-LSI “dolën në mal” në kuptimin që dogjën mandatet dhe bojkotuan zgjedhjet vendore, duke humbur mbështetjen nga vendet demokratike.

Apo siç ishte në vitet 2021 -2025 kur Sali Berisha, për egon dhe problemet e tij me SHBA dhe drejtësinë shqiptare, e përçau me vetëdije Partinë Demokratike pikërisht në momentin kur nën drejtimin e Bashës ishte shndërruar më në fund në alternativë konkuruese me një perspektivë pothuajse të sigurt për të fituar zgjedhjet e radhës.

Në ketë këtë odise me sfond interesash okulte-personale “ultimatumet” për largimin e Edi Ramës janë tretur si uji në rërë.

Por pikërisht në mandatin e katërt, kur ka më shumë depuetetë se në mandatet e mëparshme, Rama është duke ecur në një fushë të minuar me “bombat” e korrupsionit të zyrtarëve dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë. Janë “bomba” që shpërthejnë jashtë vullnetit të tij, duke hapur gropa rreth e rrotull tij, duke e kalamendur si pemën së cilës i lirohen rrënjët apo kalbëzohet. Për rrjedhim mbijetesa e tij si Kryeministër ka përfunduar si asnjëherë tjetër në rrethimin e skandaleve të hetuara apo në hetim; në rrethimin e të panjohurave gjumëvrasese – çfarë ka tjetër, deri ku mund të shkojnë hetimet e SPAK? Shto këtu zbehjen, për të mos thënë perëndimin e imazhit të tij pranë aleatëve amerikanë dhe europianë të befasuar me xhirimin me ngarkesë të rëndë të karruselit të korrupsionit në qeveritë “Rama” pikërisht në kohën kur SPAK dhe Drejtësia e re kishte nisur e po vazhdonte punën. Një “enigmë” që u gërditet partnerëve si dyfytyrësi e Tiranës zyrtare.

Thënë këto, rrëzimi i qeverisë varet nga protestat mbarëkombëtare me pjesëmarrje masive ndërpartike dhe qytetare, nga ato që i pakësojnë ajrin qeverisë. Protesta të tilla nuk duken për momentin në horizont. Edhe kur thirren janë miniatura të të mëdhave që ka njohur tranzicioni tridhjetë e pesë vjeçar. Megjithëse sot ka një shumicë antiqeveritare në vend sipas sondazheve që zhvillon për televizionin ABC sondazhisti i mirënjohur Eduard Zaloshnja. Kjo shumicë do të dilte masivisht në protesta për të rrëzuar nje qeveri që ua ka sjellë njerëzve në majë të hundës, por sakaq don të jetë e qartë për çfarë vjen pas.

Sipas të njëjtave sondazhe shumica popullore antiPD dhe antiopozitë është dukshëm më e madhe se shumica antiqeveritare. PD është zvogëluar edhe në krahasim me rezultatin që mori në zgjedhjet politike të majit të vitit të kaluar. Duket si paradoks: mazhoranca bie, opozita kryesore nuk ngrihet. Përkundrazi, bie më shumë. Paradoksi është sipërfaqësor, i jashtëm. Së brëndshmi është logjik.

PD në zgjedhjet e majit 2025 konkuroi me një operacion imazhi të rremë sikur sanksionimi i Sali Berishës nga SHBA ishte hequr de fakto. Ndjekësit e tij e kishin besuar symbyllur kur ai u kishte thenë se shpalljen non gratta e kishte nga Sorosi. Ata donin të besonin po symbyllur emisarët e tij që e bënin heqjen fakt të kryer me kapelën e presidentit Tramp në sfond. Si nuk u vinte keq as turp për njerëzit besimplotë, ndërsa e dinin mirë se po i gënjenin! Apo mendonin se u vinte e ëmbël gënjeshtra? Gjithsesi, kjo është temë tjetër.

Së shpejti mbushet viti nga dita e instalimit në pushtet të presidentit Tramp dhe administratës së tij. Berisha ka vënë në dispozicion të lobistëve dhe spindoktorëve të kontraktuar amerikanë gjashtë deri tetë milionë dollarë për zbardhjen dhe çlirimin e tij nga sanksionimi. Gjatë kësaj kohe ndjekësit kanë kuptuar se sanksionimi nuk paskësh rënë “de fakto” në fushatë. Nuk ka rënë sot e kësaj dite as de fakto, as de jure. Asnjë zyrtar amerikan nuk është angazhuar gjatë vitit me kryetarin e Partisë Demokratike.

Në ketë kontekst rrëzimi eventual i qeverisë nuk varet nga një opozitë e vjetër, e pareformuar, e rrudhur, e vetbllokuar në hallet vetjake të kreut të saj. Nuk bie prej saj, po as është e garantuar më prej saj.

Qeverinë “Rama” s’ka zot ta mbajë nëse hetimet penale do të implikonin drejpërsëdrejti kryeministrin, apo nëse kryeministri i bëhet barrikadë drejtësisë me votat e shumicës së tij. Pas kësaj do të mjaftonin pak fjali nga Uashingtoni dhe Brukseli për ta larguar. Nuk ka dyshim se këto pak fjali do të thuheshin duke u siguruar që Shqipëria të mos kridhet në kaos dhe qeveria pasuese të jetë euroatlantiste, në mbështetje të drëjtësisë së re.

*Drejtor i MAPO

Top Channel

DIGITALB DIGITALB