Brenda 5 viteve, tekstet shkollore do të ndryshojnë në përgjigje të kritereve për anëtarësimin në bashkimin europian.
Programet e reja mësimore janë miratuar nga Ministria e Arsimit, do të shërbejnë si udhëzues për hartuesit apo mësuesit për përditësimin e kurrikulave në kohë të ndryshme për nivele shkollore. Ekspertët sugjerojnë që në këtë fazë, ndryshimet të jenë në përputhje me realitetin e nxënësve shqiptarë.
“Ato ndryshime kurrikulare që vijnë me rekomandimin e BE-së, të mos jenë thjesht një përshtatje me tekstet që vendet europiane kanë, mos të jenë thjesht një kopje të sistemeve të tyre, por ne mendoj se i kemi të gjitha burimet njerëzore dhe intelektuale për të krijuar një sistem tonin shqiptar”, tha Irsa Ruçi- eksperte arsimi.
Dokumentet orientojnë arsimtarët të përfshijnë internetin në procesin shkollor, si edhe zhvillimin e njohurive të nxënësve me ndihmën e inteligjencës artificiale. Përdorimi i teknologjisë këshillohet edhe në lëndën e gjuhës shqipe, i cili thuhet se do të shërbejë si mjet mbështetës për të përmirësuar cilësinë e të nxënit, për të rritur motivimin e nxënësve dhe për të zgjeruar burimet e të nxënit përtej tekstit shkollor.
“Është e rëndësishme të shkojmë drejt dixhitalizimit, mësimi të jetë interaktiv dhe jo të mbetet vetëm përcjellës informacioni. Edukimi politik, fetar, ndaj ekstremizmit apo dhunës, si informacion i shtuar është shumë i dobishëm në kohën ku jetojmë. Ajo që të rinjtë përvetësojnë nga ambjentet shoqërore të integruara me kurrikulat mësimore aq më shumë do të ndihen më të mbrojtur”, tha Irsa Ruçi- eksperte arsimi.
Programi i përditësuar i gjuhës shqipe nuk ka me prioritet vetëm përdorimin e saktë të gjuhës nga ana gramatikore, por të fitohen aftësi për të përdorur gjuhën në situata të ndryshme komunikimi.
“Gjuha shqipe duhet studiuar si një shkencë më vete, pastaj pjesa komunikative se si përkthehet në marrëdhëniet njerëzore të ketë një fokus tjetër. Duhet të kemi vëmendjen te gjuha shqipe si një strukturë që mban identitetin në këmbë. Para se të komunikojnë shqipen, duhet ta kuptojnë atë”, tha Irsa Ruçi- eksperte arsimi.
Me rëndësi në reformën kurrikulare shihet qasja socio-emocionale në mësimdhënie, zhvillimi i empatisë dhe ndërtimi I një identiteti qytetar të vetëdijshëm te nxënësit.
Top Channel