Theu masën e arrestit në shtëpi dhe tentoi t’i vinte flakën makinës së ish-partnerit, arrestohet zyrtarja e Ministrisë së Brendshme

10/01/2026 14:13

Policia e Tiranës ka arrestuar 43-vjeçaren Alma Bime, drejtuese e sektorit të Emigracionit në Ministrinë e Brendshme, nën dyshimet se ka shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe ka tentuar t’i vërë flakën automjetit të ish-bashkëjetuesit të saj.

Sipas njoftimit zyrtar, veprimet janë kryer nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, të cilët kanë ndërhyrë pas denoncimit të bërë nga ish-bashkëjetuesi i saj. Ngjarja vjen disa muaj pasi Bime ishte shoqëruar nga policia, në dhjetor, për akuza që lidhen me kanosje dhe dëmtim prone.

Burime mediatike bëjnë me dije se konflikti mes saj dhe ish-bashkëjetuesit, Mareglen Tomori, ka qenë i vazhdueshëm. Ky i fundit zotëron një vilë trekatëshe në zonën e Kinostudios, ku kishte punësuar edhe një shtetas të huaj me leje qëndrimi të rregullt, i cili kujdesej për ambientin dhe banonte në katin e parë të banesës.

Sipas denoncimit, Alma Bime dyshohet se ka kërcënuar shtetasin e huaj përmes mesazheve, duke i përmendur edhe heqjen e lejes së qëndrimit, si dhe më herët ka shkaktuar dëme në banesë, përfshirë djegien e orendive shtëpiake. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB