“Sulm Iranit nëse vret protestuesit”, Khamenei i përgjigjet Trumpit: Erdhëm në pushtet me gjak dhe nuk tërhiqemi

09/01/2026 12:25

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i bëri thirrje presidentit amerikan Donald Trump që të “përqendrohet te problemet e vendit të tij”, në një fjalim televiziv të premten, ndërsa protestat kundër qeverisë po përhapen në të gjithë vendin.

Në komentet e tij të para publike që nga fillimi i demonstratave, Khamenei tha:

“Ka disa nxitës që duan t’i bëjnë qejfin presidentit amerikan duke shkatërruar pronën publike. Populli iranian i bashkuar do t’i mposhtë të gjithë armiqtë. i bëj thirrje urgjentisht Trumpit që të përqendrohet te problemet e vendit të tij.”

“Republika Islamike erdhi në pushtet përmes gjakut të qindra mijëra qenieve njerëzore fisnike,” tha ai. “Republika Islamike nuk do të tërhiqet përballë atyre që kërkojnë të na shkatërrojnë.”

Komentet e udhëheqësit suprem vijnë pak pasi Trump të enjten përsëriti kërcënimin e tij për të sulmuar Iranin, nëse forcat e sigurisë vrasin protestues.

Të paktën 45 protestues, përfshirë tetë fëmijë, janë vrarë që nga fillimi i demonstratave në Iran, raportoi të enjten organizata joqeveritare Iran Human Rights, me seli në Norvegji.

Sipas saj, qindra të tjerë janë plagosur dhe mbi 2.000 persona janë ndaluar.

Ndërkohë, agjencia iraniane e lajmeve Fars, e afërt me shtetin, tha se 950 oficerë policie dhe 60 pjesëtarë të forcës paraushtarake Basij janë plagosur.

Mediat iraniane raportuan të enjten se të paktën pesë pjesëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë gjithashtu gjatë trazirave, përfshirë dy anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.

CNN tha se nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur shifrat e të vrarëve dhe të arrestuarve, ndërsa mediat shtetërore iraniane herë pas here kanë raportuar vdekje individuale pa dhënë një bilanc të plotë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB