Sërish protestë në Durrës, tubuesit tentojnë të futen në ambientet e Bashkisë, përplasen me policinë

09/01/2026 18:31

Banorë të zonave të përmbytura të Durrësit kanë dalë sërish në protestë këtë të premte, ndërsa i gjithë Durrësi vijon të përballet me pasojat e përmbytjeve.

Qytetarët janë mbledhur para Bashkisë së Durrësit, ku me pankarta në duar kanë shprehur pakënaqësinë për situatën e krijuar dhe menaxhimin e saj nga institucionet vendore.

Protestuesit kërkojnë mbështetje konkrete për familjet e prekura, si dhe transparencë mbi masat e marra për përballimin e emergjencës. Ata janë shprehur kundër abuzimeve me fondet publike, investimet e pamenduara dhe mungesën e ndërhyrjeve parandaluese, të cilat sipas tyre kanë ndikuar në përmbytjet e përsëritura në qytet.

Ashtu si edhe mbrëmjen e kaluar, protestës i janë bashkuar dhe qytetarë nga lagjet e vjetra të Durrësit, të cilët preken nga projekti TID. Një pjesë e protestuesve kanë kërkuar edhe dorëheqjen e kryetares së bashkisë.

Edhe një ditë më parë, qytetarët marshuan drejt Bashkisë së Durrësit, duke denoncuar përmbytjet e shpeshta, mospastrimin e kanaleve kulluese dhe mosveprimin e institucioneve përgjegjëse. Banorët bëjnë thirrje për llogaridhënie, zgjidhje afatgjata për përmbytjet dhe rritje të sigurisë për qytetin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB