Situata është rënduar në aksin rrugor Përmet–Çarçovë, ku segmenti pranë urës së Çarçovës ndodhet në një pikë kritike.

Si pasojë, janë izoluar lëvizjet e banorëve dhe është ndërprerë qarkullimi i automjeteve drejt Shqipërisë juglindore.

Autoritetet raportojnë se përkeqësimi i kushteve ka bërë të pamundur kalimin e mjeteve, duke krijuar vështirësi të mëdha për banorët e zonës dhe udhëtarët që përdorin këtë aks.

Strukturat përkatëse ndodhen në terren dhe po monitorojnë situatën, ndërsa u bëhet thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin këtë segment rrugor deri në një njoftim të dytë.

Në Bashkinë Gjirokastër, raportohet prezencë dëbore në fshatrat e Njësisë Administrative malore Picar. Në km 17 të aksit Gjirokastër–Tepelenë, lumi Drino po i afrohet trupit të rrugës, ndërsa firma kontraktore ka përqendruar mjete për forcimin e argjinaturës. Në fshatin Tërbuq, aksi rrugor është hapur me ndërhyrjen e specialistëve dhe mjeteve të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa në Dhoksat pritet ulja e nivelit të ujit për të nisur punimet për hapjen e rrugës. Ndërkohë, në aksin që lidh fshatrat Krinë, Tranoshisht dhe Saraqinishtë ka nisur riparimi i një ure të dëmtuar. Dy specialistë gjeologë kanë përfunduar inspektimin e zonave me risk për rrëshqitje.

Në Bashkinë Dropull, problematike mbetet ura e Glinës, e cila ka pësuar dëmtime të reja, ndërsa aksi Pogon–Dropull është i bllokuar si pasojë e reshjeve të dëborës.

Në Bashkinë Libohovë, aksi Zagori–Libohovë është i bllokuar për shkak të dëborës me trashësi rreth 50 cm. Në Njësinë Administrative Zagori raportohet shembja e një banese, ndërsa banorja e moshuar që jetonte aty është strehuar tek banesa e kryetarit të fshatit.

Në Bashkinë Memaliaj, vijon problematika e gërryerjes së tokave bujqësore nga lumi Vjosë në Njësinë Administrative Qesarat, përballë fshatit me të njëjtin emër.

Situatë e rënduar paraqitet edhe në Bashkinë Përmet, ku aksi Përmet–Dogana e Tre Urave është i bllokuar për shkak të çarjes së trupit të rrugës në hyrje të fshatit Petran. Njësia Administrative Frashër mbetet e bllokuar dhe pa energji elektrike si pasojë e reshjeve të dëborës me trashësi rreth 40 cm. Fshati Buhal dhe zona e Frashërit vijojnë të jenë të izoluara.

Në Bashkinë Tepelenë, në aksin Tepelenë–Gjirokastër, në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, qarkullimi lejohet vetëm me një korsi, ndërsa Policia e Shtetit po monitoron situatën. Në Njësinë Administrative Kurvelesh ka prezencë dëbore dhe akulli, dhe drejtuesit e mjeteve po orientohen nga strukturat përgjegjëse.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike, OSHEE bën me dije se pas ndërhyrjeve në terren është rikthyer pjesërisht energjia në disa fshatra të Bashkisë Memaliaj. Ende pa energji elektrike mbeten disa zona në bashkitë Gjirokastër, Libohovë, Dropull dhe Përmet, ndërsa puna për rikthimin e plotë të furnizimit do të vijojë gjatë ditës.

Sipas raportimit hidrologjik, niveli i lumit Vjosë shënon 3.8 metra në Memaliaj dhe 4.3 metra në Përmet.

Strukturat vendore dhe ekipet e emergjencës vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet për normalizimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB