Probleme me energjinë elektrike në qarkun e Korçës, rrugë të bllokuara dhe përmbytje tokash bujqësore

09/01/2026 09:52

Situata në Qarkun e Korçës vijon të jetë problematike në disa zona, si pasojë e reshjeve të shiut, borës dhe temperaturave të ulëta.

Sipas OSHEE-së, janë evidentuar problematika në linjat e tensionit të mesëm 10 kV, ku 11 fidera rezultojnë të stakuar, 8 prej tyre pjesërisht. Aktualisht, 1 995 abonentë në zonat rurale janë pa furnizim me energji elektrike, ndërsa zonat urbane nuk kanë ndërprerje. Situata prek drejtoritë rajonale Korçë, Maliq, Pogradec dhe Ersekë, ndërsa Bilishti nuk raporton probleme. Furnizimi me energji për objektet e rëndësisë së veçantë vijon normalisht dhe ekipet e OSHEE-së janë në gatishmëri për riparime.

Si pasojë e reshjeve të shiut, argjinatura e lumit Devoll vijon të jetë e çarë, duke përmbytur rreth 3 600 hektarë tokë bujqësore në fushën e Maliqit. Nga reshjet e borës nuk raportohen problematika madhore.

Familje të evakuuara në qark janë: 3 familje në Libohovë, 2 familje në Memaliaj, 4 familje në Përmet, 4 familje në Gjirokastër.

Në aspektin rrugor, shumica e akseve janë të hapura, por me kufizime në disa segmente. Aksi Qafë Plloçë–Qukës vijon të jetë i bllokuar për shkak të inerteve, ndërsa në fshatin Dardhas po punohet për krijimin e një bypass-i. Rruga e fshatit Denas mbetet e bllokuar dhe ndërhyrja do të kryhet sapo të ulet niveli i ujit.

ARRSH raporton se në akset Ersekë–Leskovik, Korçë–Ersekë, Zëmblak–Goricë dhe Bilisht–Miras është kryer kriposje për shkak të ngricave, ndërsa qarkullimi lejohet vetëm me goma dimërore dhe zinxhirë. Po ashtu, kriposje është kryer edhe në segmentin Boboshticë–Dardhë për shkak të temperaturave të ulëta.

Në Bashkinë Pogradec vijojnë problemet në rrugën e Dardhasit, ndërsa në disa njësi administrative ka ndërprerje të energjisë elektrike. Në fshatin Dardhas është dëmtuar një banesë nga rrëshqitja e dheut dhe është shpallur e pabanueshme.

Në Bashkinë Devoll, situata është normalizuar në disa fshatra pas tërheqjes së ujit.

Në Bashkinë Kolonjë, ka ngrirje të rrugëve në zonat rurale. Procesi mësimor ka nisur normalisht në qytete, por jo në disa fshatra për shkak të kushteve atmosferike

Në Bashkinë Maliq, janë shënuar përmbytje tokash bujqësore, rrëshqitje dherash, dëmtime rrugësh, të rrjetit të ujësjellësit dhe të argjinaturave, si dhe shkatërrimi i një ure. Probleme në qarkullim raportohen edhe në disa fshatra për shkak të dëborës.

Strukturat e mbrojtjes civile dhe shërbimet rrugore u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes dhe të qarkullojnë vetëm me goma dimërore ose zinxhirë, ndërsa situata vijon të monitorohet deri në normalizimin e plotë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB