Në ditën e katërt të përmbytjeve, situata në Durrës vijon të mbetet problematike, edhe pse në disa zona ka shenja të përmirësimit.

Në Durrësin e Ri (ish-Kënetë), strukturat e emergjencave dhe grupet e shërbimit ndodhen në terren, ku po punohet për normalizimin e plotë të situatës. Paralelisht, vijojnë verifikimet dhe vlerësimet në banesat e përmbytura, ku deri më tani janë konstatuar 2 380 banesa të prekura nga uji.

Në qytetin e Durrësit, situata është ende e ndjeshme. Aktualisht janë 356 persona të evakuuar, prej të cilëve 123 janë akomoduar në hotele, ndërsa 304 të tjerë janë strehuar në dy konvaleshencat e ministrive të Brendshme dhe të Mbrojtjes. Sipas shtabit të emergjencave civile në prefekturë, shërbimet e emergjencës vijojnë monitorimin e zonave më problematike dhe asistencën për familjet e prekura.

Në Sukth, situata paraqitet disi më e lehtësuar. Në zonën e Vadardhës, uji ka nisur të tërhiqet, megjithatë autoritetet mbeten në gatishmëri për shkak të pasojave të shumta të përmbytjeve. Në këtë zonë janë evakuuar 322 persona, nga të cilët 76 janë strehuar në hotele, ndërsa 246 pranë familjarëve.

Ndërkohë, në Njësinë Administrative Katund i Ri, situata vijon të jetë më e vështirë. Lumi Erzen ka dalë nga shtrati në zonën e Jubës, ndërsa niveli i ujit është rritur deri në orët e para të mëngjesit. Për momentin, evakuimet janë ndërprerë, ndërsa autoritetet po ndjekin nga afër zhvillimin e situatës. Në Katund të Ri janë evakuuar 73 persona, ku 53 janë strehuar pranë familjarëve dhe 20 në hotele.

Zonat më problematike vijojnë të mbeten Juba dhe Hamallaj, ku niveli i ujit dhe gjendja e infrastrukturës kërkojnë ndërhyrje të vazhdueshme. Çarja e argjinaturës së lumit Droje ka krijuar vështirësi dhe po punohet për mbylljen e tij çarjes, po terreni kufizon numrin e mjeteve. Strukturat përgjegjëse deklarohet se janë në monitorim të pandërprerë, ndërsa situata mbetet dinamike dhe e lidhur ngushtë me ecurinë e kushteve atmosferike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB