Si pasojë e reshjeve të shiut dhe dëborës, disa rrugë dhe zona të Qarkut Dibër po përballen me probleme të qarkullimit dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.

Më të prekura janë disa fshatra në njësitë administrative Lurë, Bulqizë dhe Klos, ku rrëshqitjet e dheut dhe akulli kanë vështirësuar qarkullimin dhe kanë shkaktuar dëmtime në rrjetin elektrik.

Në Bashkinë Bulqizë, trashësia e dëborës ka krijuar akull në të gjitha rrugët e qytetit dhe njësive administrative. Mjetet borepastruese dhe punonjësit e bashkisë po vazhdojnë hedhjen e kripës për normalizimin e qarkullimit, por aksesi Qytet i Vjetër – Qytet i Ri tek terminali mbetet i pakalueshëm për automjetet dhe këmbësorët.

Në Bashkinë Klos, rrëshqitjet e kanaleve vaditëse dhe të tokës kanë penguar disa akse: fshati Bershi përballet me masivin shkëmbor të rënë pranë rrugës Klos–Burrel, fshati Skënderaj ka rrezik nga rrëshqitja e tokës, ndërsa rruga në malin e Lezaj ka gërryerje që mund ta bëjnë të pakalueshme aksin.

Në Bashkinë Dibër, rruga Grykë–Nokës ka pësuar dëmtime nga rrëshqitjet e dheut dhe skarpatat, ndërsa rruga Zall-Dardhë–Shenllesh është e pakalueshme. Dëmtimet e disa shtyllave të tensionit të lartë kanë shkaktuar mungesë energjie në Njësinë Administrative Lurë.

Rrugët nacionale janë të kalueshme, dhe furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm në pjesën tjetër të qarkut vazhdon normalisht. Strukturat e bashkive dhe operatorët kontraktorë vijojnë punën për të rikthyer qarkullimin normal dhe sigurinë në të gjitha aksin problematikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB