Të ndarë dhe vetëm, si do të trajtohen Nicolas Maduro dhe gruaja e tij në burgun famëkeq të New York-ut

08/01/2026 09:24

Nga pallati presidencial në qeli izolimi. Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, po përballen me një realitet krejt tjetër pas arrestimit dhe paraburgimit në Qendrën Metropolitane të Paraburgimit (MDC) në Brooklyn, një nga burgjet federale më problematike në SHBA.

CNN shkruan se çifti pritet të mbahet i ndarë nga pjesa tjetër e të burgosurve për arsye sigurie, në qeli individuale dhe me kontakt shumë të kufizuar, edhe mes tyre. Kushtet në MDC përshkruhen si të vështira: mungesë ngrohjeje dhe ajrimi, dyshekë të hollë mbi pllaka metalike dhe izolim deri në 23 orë në ditë.

Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë detaje mbi trajtimin e tyre, por ish-zyrtarë të burgjeve federale theksojnë se Maduro konsiderohet rrezik sigurie dhe nuk mund të vendoset me të burgosur të tjerë. Ai pritet të qëndrojë në Njësinë Speciale të Strehimit (SHU), nën mbikëqyrje të vazhdueshme.

Në paraqitjen e parë në gjykatë në Nju Jork, Maduro dhe Flores deklaruan pafajësi për akuzat për trafik droge dhe armësh. Ata nuk kundërshtuan paraburgimin në këtë fazë, ndërsa gjykata i informoi për të drejtën e kontaktit konsullor.

Burgu MDC ka një histori të errët me ndërprerje energjie, mungesë personeli dhe episode të dhunshme, përfshirë vrasje mes të burgosurve. Për këtë arsye, autoritetet amerikane pritet të zbatojnë masa maksimale sigurie, për të shmangur çdo incident të ngjashëm me rastin Epstein.

Maduro dhe bashkëshortja e tij do të dalin sërish para gjykatës federale të Manhattanit më 5 janar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB