Kush ishte Renee Nicole Good, viktima e të shtënave nga ICE në Minesota/ Trump i del në mbrojtje agjentit që qëlloi: E bëri për vetëmbrojtje

08/01/2026 11:46

Gruaja e vrarë në makinën e saj nga një agjent i emigracionit ishte poete dhe nënë e një vajze dhe dy djemve. Nëna e saj tha se ajo ishte “e tmerruar” ndërsa përpiqej të largohej nga incidenti në Minneapolis.

Gruaja e qëlluar për vdekje nga një agjent i ICE në Minesota është identifikuar si një nënë dhe një “qenie njerëzore e jashtëzakonshme”.

Renee Nicole Good, 37 vjeçe, ishte në timonin e një Honda Pilot kur u përpoq të largohej nga oficerët që po kryenin bastisje të emigracionit në Minneapolis të mërkurën. Përplasja u filmua në video.

Ajo u akuzua se tentoi të godiste agjentët me makinën e saj, përpara se një nga oficerët të qëllonte të paktën dy herë, duke e vrarë.

Donna Ganger i tha Minnesota Star Tribune se viktima ishte vajza e saj. Ganger tha se Good jetonte në zonën e Twin Cities me partnerin e saj.

Një llogari në Instagram, që duket se i përkiste Good-it, e përshkruante atë si “poete dhe shkrimtare, grua, nënë dhe kitariste nga Kolorado”.

Ganger tha për vajzën e saj: “Renee ishte një nga njerëzit më të mirë që kam njohur ndonjëherë. Ishte jashtëzakonisht e dhembshur. Gjithë jetën e saj është kujdesur për njerëzit. Ishte e dashur, falëse dhe e përzemërt. Ishte një qenie njerëzore e mrekullueshme.”

Ajo tha se u njoftua për vdekjen e vajzës së saj të mërkurën në mëngjes.

Ganger tha se nuk besonte se vajza e saj ishte pjesë e protestave kundër ICE dhe theksoi se ajo “nuk kishte aspak lidhje me gjëra të tilla”.

Good ishte e martuar me Timmy Ray Macklin Jr, i cili vdiq në vitin 2023 në moshën 36-vjeçare, sipas babait të tij, Timmy Ray Macklin Sr. Ky i fundit tha se ishte i tronditur dhe i tregoi Star Tribune se djali i tij kishte një fëmijë gjashtëvjeçar me Good-in. Ai tha: “Do të fluturoj, për të ardhur e për të marrë nipin tim.”

Në një postim në Facebook nga prilli i vitit 2020, Departamenti i Anglishtes i Universitetit Old Dominion në Norfolk, Virxhinia, e përmendi Renee Macklin si fituese të një çmimi për poezi.

Aty thuhej se ajo ishte me origjinë nga Colorado Springs, Kolorado, dhe se drejtonte një podcast me Macklin-in. Postimi shtonte: “Kur nuk shkruan, nuk lexon apo nuk flet për shkrimin, ajo bën maratona filmash dhe krijon art të çrregullt me vajzën e saj dhe dy djemtë.”

Departamenti i Policisë së Minneapolis-it tha se oficerët iu përgjigjën thirrjes në vendngjarje, rreth një milje larg nga vendi ku u vra George Floyd në maj 2020, dhe e gjetën Good-in me një plagë plumbi në kokë.

Oficerët kryen CPR, por ajo u shpall e vdekur në një spital lokal. ICE nuk ka zbuluar emrin e agjentit që e qëlloi.

Dëshmitarët thanë se Good po përpiqej të largohej me makinë kur u qëllua, një pretendim që duket se mbështetet edhe nga videoja e vendngjarjes.

Një banor, Aiden Perzana, tha se SUV-ja vjollcë e Good-it ishte e vendosur pingul me rrugën kur agjentët iu afruan automjetit. Shoferes iu kërkua të dilte nga makina, i tha Perzana Star Tribune-s, dhe ajo filloi të ecte përpara kur agjenti përpara Honda-s hapi zjarr.

“Dikush po përpiqej ta nxirrte nga makina,” tha ai. “Ajo thjesht po përpiqej të ikte. Nuk ka asnjë mundësi që ajo të synonte dikë. Është thjesht absurde.”

Good u vra ndërsa ICE nisi një operacion të zbatimit të ligjit të emigracionit në Minesota, që përfshinte rreth 2,000 agjentë.

Vdekja e saj ka shkaktuar protesta në Minneapolis dhe në Nju Jork, ndërsa agjencitë federale dhe presidenti Trump thanë se të shtënat ishin të justifikuara. Good “e përplasi me egërsi oficerin e ICE-së, i cili duket se e qëlloi atë në vetëmbrojtje”, shkroi Trump në Truth Social.

Jacob Frey, kryebashkiaku i Minneapolis-it, tha në një konferencë për shtyp se ICE duhet të ikë nga qyteti. Ai këmbënguli se të shtënat nuk ishin në vetëmbrojtje, duke shtuar: “Ky ishte një agjent që përdori pushtetin në mënyrë të pamatur dhe si pasojë dikush vdiq, u vra.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB