Ngjarje e rëndë në burgun e Reçit, sherr i dhunshëm mes dy të burgosurve, Astmer Bilali dhe Mikel Thani përfundojnë në spital
Policia e Shkodrës ka zbuluar një tjetër ambient të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me pajisje elektrike, duke finalizuar operacionin policor të koduar “Neonët 6”.
Me këtë rast, shkon në 10 numri i rasteve të goditura në kuadër të operacionit të gjerë “Neonët”.
Në kuadër të operacionit janë shpallur në kërkim 2 shtetas, të cilët dyshohet se kishin përshtatur një banesë në lagjen “Ndoc Mazi” për kultivimin e kanabisit me llamba, duke u furnizuar me energji elektrike përmes lidhjeve të paligjshme.
Gjithashtu, janë proceduar penalisht dy punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, si dhe një shtetase tjetër, për “Moskallëzim krimi”.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në kuadër të planit të masave për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Si rezultat i kontrolleve, në banesën e përshtatur për këtë veprimtari kriminale u sekuestruan:
60 bimë të dyshuara narkotike kanabis;
57 pajisje elektrike për kultivimin dhe tharjen e bimëve;
4 telefona celularë.
Në kuadër të këtij operacioni u shpallën në kërkim shtetasi A. V., 35 vjeç, banues në Shkodër, si dhe një 16-vjeçar, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Materialet procedurale u referuan në Prokurori, ku nisi procedimi penal edhe për:
B. C., 33 vjeç, dhe G. A., 63 vjeç, punonjës të OSHEE-së, për “Shpërdorim detyre”, kryer në bashkëpunim;
E. H., 22 vjeçe, banuese në Pukë, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Gjatë kontrolleve, në banesën e shtetasit H. M., 49 vjeç, e cila ndodhet ngjitur me ambientin ku kultivoheshin bimët narkotike, u gjetën dhe u sekuestruan një pistoletë sportive pneumatike pa numër serial, municion luftarak dhe një automjet. Ky shtetas është ndaluar më datë 11.12.2025 për vepra të tjera penale.
Policia vijon punën për kapjen e dy personave në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
Top Channel