Çështja ‘Balluku’/ “Po përgatisim padinë në SPAK për Peleshin”, Bardhi hedh poshtë propozimin e Shehajt: Nuk do shkelim ligjin për favor të qeverisë

08/01/2026 12:28

Anëtarët e PD në Këshillin e Mandateve, kanë deklaruar se edhe sot nuk është zhvilluar mbledhja, me qëllim shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, çka i hap rrugë arrestimit të kësaj të fundit.

Sipas PD, Kuvendi me urdhër nga kryeministri po mban peng mbledhjen e Këshillit të Mandatve. Ata shprehen se kryeparlamentari Niko Peleshu po vazhdon t’i mbajë të kyçura zyrat e Kuvendit.

“Kuvendi, me urdhër politik të Edi Ramës, vazhdon të mbajë peng mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Ndryshe nga sa përcakton rregullorja, sipas së cilës mbledhja e Këshillit mund të thirret nga 5 anëtarë, Niko Peleshi vazhdon t’i mbajë të kyçura zyrat e Kuvendit, duke mbrojtur të korruptuarën Belinda Balluku. Deputetët e PD e gjejnë derën e sallës së mbledhjes të mbyllur”, shprehen anëtarët e Partisë Demokratike.

Pyetur nga gazetarja e Top Channel Elda Menga, se nëse do të bëjnë publike 16 mijë faqet me prova, Gazment Bardhi u shpreh se nxjerrja e sekretit hetimor, do ishte në interes të Belinda Ballukut duke u penguar drejtësia.

Elda Menga: Ju akuzoni Edi Ramën dhe Niko Peleshin se po shkelin ligjin, rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën për tu kthyer në mburojë politike për Belinda Ballukun. Një ditë më parë Agron Shehaj ju bëri thirrje të shkelni dhe ju ligjin dhe të bëni publike 16 mijë faqet me prova. Do e bëni një akt të tillë?

Gazment Bardhi: Së pari nuk e kam dëgjuar të plotë deklaratën e z.Shehaj, por nuk ka nevojë për prova të tjera shtesë për qeverisjen e korruptuar. Balluku për ato që është akuzuar ka mjaftueshëm të dhëna që ka kryer krim në mënyrë të përsëritur. Në gjykimin e 5 anëtarëve të opozitës, është vetëm respekti ndaj ligjin, ai që mbron interesin publik. Ligji ekziston për të mbrojtur interesin publik. Nuk mund të pretendosh që je me drejtësinë, kur e cenon drejtësinë. Do të duhet të ruhet sekreti hetimor që të mos cenohen hetimet. Prandaj çdo thirrje që bëhet për shkelje ligji, është në fakt një thirrje në interes të Belinda Ballukut dhe të Edi Ramës. As nuk kemi ndërmend ta bëjmë. Edi Rama i ka marrë provat. 

Nga ana tjetër, Oerd Bylykbashi paralajmëroi se grupi i PD do të paraqesë padi në SPAK për shpërdorim detyre ndaj kryeparlamentarit Niko Peleshi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB