Vrasja e 37-vjeçares nga agjenti i ICE-së në Minneapolis, protestuesit përleshen me forcat e rendit Siguria e Arktikut mbetet një prioritet kyç për Europën dhe përbën një pikë kritike për sigurinë ndërkombëtare dhe transatlantike, teksa integriteti territorial dhe kufijtë e Danimarkës dhe Groenlandës janë parime të paprekshme.
I ashtuquajturi grupi i “Të Vullnetshmëve”, të cilit i janë bashkuar edhe krerë të tjerë qeverish, duke nisur nga Giorgia Meloni, ka publikuar një deklaratë të përbashkët lidhur me krizën e Groenlandës, e cila ndodhet nën kërcënimin e aneksimit nga Donald Trump. Ky qëndrim shënon një distancim nga Trump pas ofensivës së presidentit amerikan mbi Groenlandën, pa krijuar, të paktën për momentin, një incident diplomatik me Shtëpinë e Bardhë. Mesazhi thelbësor i dokumentit është i qartë: “I takon Danimarkës dhe Groenlandës, dhe vetëm atyre, të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me Danimarkën dhe Groenlandën”.
Liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës, Anglisë e Danimarkës vetë ritheksuan se sovraniteti, integriteti territorial dhe paprekshmëria e kufijve janë parime universale që nuk do të reshtim së mbrojtur. Sa i përket Amerikës, në deklaratë specifikohet se ajo është një partner thelbësor në këtë rajon dhe se siguria e Arktikut duhet të arrihet së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e NATO-s. Deklarata ka qenë objekt negociatash intensive.
Nisma fillestare thuhet se ka ardhur nga Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar. Pas kontakteve të shumta dhe të shpejta mes liderëve dhe zyrave të tyre diplomatike, nisi një proces negocimi i imtësishëm, rresht për rresht dhe fjalë për fjalë, për të arritur në formulimin përfundimtar të dokumentit. Askush nuk e nënvlerëson peshën e firmës së Giorgia Melonit, e konsideruar si liderja europiane më e afërt me Trump.
Pikërisht për këtë arsye, kryeministrja italiane ka insistuar të rishikojë me kujdes çdo detaj të dokumentit, për të shmangur çdo incident të mundshëm diplomatik me Shtetet e Bashkuara.
Top Channel