Astronomët kanë zbuluar për herë të parë një objekt kozmik të pazakontë: një aureolë me materie të errët, plotësisht e lirë nga yjet, e ndodhur rreth 14 milionë vite dritë larg Tokës.

Objekti quhet Cloud-9 dhe konsiderohet si galaktika e parë “fantazmë” e konfirmuar ndonjëherë.

Zbulimi u realizua nga Alejandro Benitez-Llambay, nga Departamenti i Fizikës i Universitetit të Milano-Bicocca-s, në bashkëpunim me studiues nga Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara, dhe është publikuar në revistën shkencore The Astrophysical Journal Letters.

Sipas studimit, Cloud-9 është kandidati i parë i konfirmuar për një Re HI të Kufizuar nga Reionizimi (RELHIC), një objekt i parashikuar prej kohësh nga teoria standarde e kozmologjisë, por që nuk ishte vëzhguar më parë. Ekipi kërkimor përdori Teleskopin Hapësinor Hubble, duke e fokusuar atë për rreth 13 orë vëzhgimi në një zonë të errët pranë galaktikës spirale M94.

“Me këto vëzhgime konfirmuam se, pavarësisht masës dhe pranisë së gazit, Cloud-9 nuk është një galaktikë e zakonshme. Në këtë zonë, që shtrihet mbi 4,500 vite dritë, nuk shkëlqen asnjë yll i vetëm,” u shpreh Benitez-Llambay.

Sipas teorisë, objekte të tilla janë mjaftueshëm masive për të mbajtur gaz, por jo aq sa për të nxitur formimin e yjeve. Për këtë arsye, ato përkufizohen si “galaktika të dështuara” ose “galaktika fantazmë”.

Cloud-9 u identifikua fillimisht në vitin 2023 nga radioteleskopi FAST në Kinë, radioteleskopi më i madh në botë me diametër 500 metra. Më pas, objekti u vëzhgua edhe nga radioteleskopi Karl G. Jansky Very Large Array në New Mexico. Vëzhgimet e fundit me Hubble kanë konfirmuar përfundimisht se Cloud-9 përfaqëson një zbulim unik, duke vërtetuar një parashikim të rëndësishëm të kozmologjisë moderne.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB